Kjo shishe verë e 1774-s u shit këtë fundjavë për… –
Kjo shishe verë e 1774-s u shit këtë fundjavë për… –
Një shishe e Vin Jaune (verë e verdhë) nga vreshtat e Jura-s, vjelje e vitit 1774 ka arritur shifrën prej 103.400 euro në një ankand në lokalitetin francez të Lons-le-Saunier dhe dy shishet e tjera të të njëjtit vit u shitën për 76.250 euro dhe 73.200 euro.
“Nuk besoja që shishet të shiteshin kaq shtrenjtë, rekordi i fundit ishte i vitit 2011 me shifrën 57.000 euro,” – u shpreh shumë e kënaqur Brigitte Fénaux nga shtëpia e ankandeve Jura Enchères, organizuese e ankandit.
Të tri shishet me datë 1774 mund të jenë shishet e verës më të vjetra në botë në treg.
Brenda kanë një Vin Jaune të prodhuar nga Anatoile Vercel (1725-1786) që vinte nga një hardhi e kultivuar gjatë periudhës së Luigjit të XV dhe e vjelur gjatë mbretërimit të Luigjit të XVI.
Blerësit janë kanadezë. Shishet janë të tipit “bourgogne”, pra me bazë të sheshtë dhe me qafë të hollë fine dhe me sasi prej 87 centilitër.
Janë ruajtur për më shumë se 200 vite nga pasardhësit e Anatoile Vercel në një kantinë të nëndheshme në Arbois, kryeqytetin e verërave të Jura-s.
Një degustim i kësaj vere të thatë u organizua në 1994 në Château Pécauld në Arbois nga 24 profesionistë vere. Me ngjyrë okre, me një shije arre, erëza, kerri, kanellë, vanilje dhe fruta të thata, pija e çmuar mori notën 9.4 nga 10 të plota nga specialistët.
Dy shishe nga e njëjta vjelje u shitën në 2011 në Arbois për 57 000 euro dhe në 2012 në Gjenevë për 46 000 franka zviceriane.