Klientelizmi dhe korrupsioni, Shqipëria në prag të katastrofës. –
Klientelizmi dhe korrupsioni, Shqipëria në prag të katastrofës. –
Nga Janusz Bugajski,
7 qershor 2019
Ekskluzive Dita – Shqipëria duhet të shmangë me çdo kusht rënien në konflikte dhe kaos, pasi pasojat mund të jenë më të mëdha sesa e rënia e shtetit që dëshmuam para më shumë njëzet vitesh. Radikalizmi politik, protestat e dhunshme, trazirat sociale dhe paqëndrueshmëria institucionale jo vetëm që e zvarrisin vendin drejt një krize të brendshme, por gjithashtu mund të krijojnë paqëndrueshmëri rajonale, të bllokojnë integrimin e Shqipërisë në BE dhe të përkeqësojnë marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara.
Në krahasim me shembjen ekonomike të vitit 1997, sot, “skemat piramidale” në Shqipëri janë si politike ashtu edhe ekonomike. Klientelizmi dhe korrupsioni kanë infektuar thellësisht të dy partitë kryesore, ndërkohë që një alternativë e tretë konkrete mungon. Por, edhe më keq se korrupsioni i zyrtarëve është polarizimi ekstrem i politikës në Shqipëri. Edhe pse të gjithë vendet në rajonin e Ballkanit janë të ndikuara nga lidhjet fitimprurëse midis politikës dhe biznesit, asnjëra prej tyre nuk ka përjetuar çrregullime akute bipolare si ata të Shqipërisë.
Kosova ka një sistem të prekshëm shumëpartiak, me të paktën katër formacione të mëdha në garën për pushtet. Në Mal të Zi edhe pse politika është e ndarë në mes grupimeve malazeze dhe serbe, partitë pro pavarësisë janë më të forta dhe kanë arritur ta mbajnë pushtetin duke kaluar nga disa cikle zgjedhore. Maqedonia e Veriut, edhe pse ka dy parti të mëdha, për shkak të rolit të rëndësishëm që partitë shqiptare marrin në koalicionet qeverisëse, parlamenti funksionon ndërsa qeveria është në gjendje të bëjë marrëveshje të rëndësishme me fqinjët e saj.
Rasti i Shqipërisë është ndryshe; ajo është e mbërthyer në një “moçal”, ku ndërsa besimi në të dyja palët bie, militantët mbizotërojnë dhe kompromiset midis liderëve politikë nuk arrihen dot. Bojkotimi i parlamentit dhe i zgjedhjeve mund të duket si një formë radikale proteste, por,në fund të fundit, kjo është nj ëmetodë vetë-shkatërruese, meqë ul besimin e njerëzve në institucionet shtetërore.
Pasi braktisi vendet e veta në parlament, Partia Demokratike në opozitë, i ka bërë thirrje qeverisë të Partisë Socialiste të japë dorëheqjen dhe kërkon që vendi të drejtohet nga një qeveri e përkohshme deri në përfundim të zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. Veçse, zgjedhjet kombëtare të mbajtura pa ndonjë pazar të madh midis aktorëve kryesorë politik thjesht do të prodhojnë pakënaqësi tek humbësit e ardhshëm të tyre dhe do të rezultojnë në një cikël tjetër protestash.
Opozita, gjithashtu, po bojkoton zgjedhjet vendore të Shqipërisë më 30 qershor dhe, si rezultat, në shumicën e bashkive ka vetëm një kandidat për postin e kryetarit. Socialistët, të cilët kanë mjaftueshëm vende në parlament për të drejtuar të vetëm, mbrojnë se nuk mund të shkelin kushtetutën duke ndryshuar ditën e zgjedhjeve. Ky qëndrim nuk ka gjasa të dobësojë demokratët, por thjesht do t’i bëjë ata edhe më radikalë dhe agresivë kundrejt institucioneve të shtetit.
Demonstratat e opozitës kundër qeverisë, që tashmë janë të dhunshme, priten të kenë edhe më shumë përplasje mes protestuesve dhe policisë. Udhëheqësit demokratë paralajmërojnë për përshkallëzime të mëtejshëm (të dhunës), ndërsa dita e zgjedhjeve afron dhe protestuesit mund të përpiqen të ndalojnë vetë zhvillimin e votimeve. E nëse krerët politikë përgjegjës për këtë situatë nuk frenojnë zemërimin dhe arrijnë një kompromis afatgjatë, Shqipëria mund të shkojë drejt një katastrofe të re.
Protestat në rrugë të Shqipërisë nuk janë si manifestimet ukrainase të tipit “Majdan”, ku në vitin 2014 një lëvizje popullore, pluraliste, reformiste dhe pro-perëndimore rrëzoi një regjim pro-Moskë thellësisht të korruptuar dhe jo të dashur për popullin. Në rastin e Shqipërisë, protestat drejtohen nga partia kryesore opozitare, e cila parësisht synon të zëvendësojë qeverinë aktuale, pa eliminuar burimet dhe nxitësit e korrupsionit dhe klientelizmit.
Ciklet e bojkoteve, demonstratave dhe dhunës janë bërë të zakonshme në Shqipëri, duke dëmtuar thellësisht reputacionin e vendit gjatë dy dekadave të fundit. Për më tepër, ata mund të parandalojnë sërish fillimin e bisedimeve për pranimin e Shqipërisë në BE. Qeveritë në Francë dhe Holandë, të cilët kundërshtojnë zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, do të përdorin dhunën dhe ndarjet politike si dëshmi për të thënë se Shqipëria nuk e ka vendin në Europë.
Kaosi dhe dhuna në Shqipëri, gjithashtu, mund të ndikojë negativisht edhe në stabilitetin rajonal, duke shtyrë drejt tensioneve edhe politikanët dhe partitë shqiptare në vendet fqinje, sidomos në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo mund të kontribuojë në radikalizimin dhe madje polarizimin e politikës në këto dy shtete. Ekziston edhe skenari i kobshëm i përsëritjes të viti 1997, ku rënia e skemave piramidale rezultoi në mosfunksionimin e shtetit, ndërsa armët u vodhën nga arsenalet qeveritare dhe pjesëtarët e bandave të armatosura “bënin ligjin”në rrugë.
Rënia në kaos e një anëtari të NATO-s dhe një aleati besnik të SHBA-së duhet të parandalohet nëpërmes një iniciative të fuqishme diplomatike që do t’i shtynte të dy palët drejt dialogut, do t’i kontrollonte militantët dhe do të zbuste tensionet. Për fat të keq, administrata e Donald Trumpit nuk i ka kushtuar shumë vëmendje Shqipërisë, duke u përqendruar kryesisht në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Maqedoni-Greqi dhe Kosovë-Serbi.
Po bëhet një vit që Shqipëria nuk ka ambasador të Shteteve të Bashkuara. Mungesa e një të dërguari të lartë dërgon mesazhe indiference dhe inkurajon radikalizmin politik. Shqiptarët e të gjitha ngjyrave politike e dinë se pa përfshirjen amerikane BE-ja është një lojtar i dobët politik në Ballkan. Shqipëria nuk mund të neglizhohet, nëse NATO është e vendosur të parandalojë paqëndrueshmërinë rajonale dhe të pengojë hapjen e një dere tjetër për ndërhyrjet subversive të Moskës.