29 Prill 025

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetimet për dy figura të njohura të doganave shqiptare, Klodian Çani dhe Fatjon Shehu, pas dyshimeve të forta për përfshirjen e tyre në aktivitete të paligjshme. Klodian Çani, aktualisht drejtor në Drejtorinë e Informacionit në Dogana, është akuzuar për koordinimin e kontrabandës dhe falsifikimin e dokumenteve për kalimin e mallrave, përfshirë lëndë të dyshuara toksike të importuara nga Shqipëria. Nga ana tjetër, Fatjon Shehu, i cili mban postin e drejtorit të përgjithshëm të Anti-Kontrabandës, është nipi i trafikantit të njohur të drogës Behar Sofia.

Mësohet se Z. Shehu ishte një nga emrat që përflitej për t’u kandiduar për deputet nën siglën e Partisë Socialiste në Qarkun e Beratait sa i takon zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, por ai u refuzua nga kryeministri Edi Rama, për shkak të lidhjeve të dyshimta me botën e krimit. Hetimet kanë nxjerrë në pah se Shehu, dyshohet se ka kontakte të ngushta me persona të përfshirë në trafik droge, duke ngritur dyshime për mundësinë e shfrytëzimit të ndikimit të tij në favor të grupeve kriminale. Fatjon Shehu është gjithashtu i lidhur me një politikan të shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa dyshohet se ai po përfiton nga lidhjet e tij për të minuar bizneset e ndershme, sidomos ato që kanë lidhje me tregtinë me Turqinë.

Ndërkohë, Klodian Çani ka një histori të gjatë skandalesh, përfshirë hetime për kontrabandë dhe shmangie të taksave. Pas një hetimi të nisur në 2015-n, ai u pezullua nga detyra për lehtësimin e kalimit të mallrave pa kontrolle doganore, por më pas u rikthye dhe vazhdoi veprimtaritë e tij të dyshimta. Megjithatë hetimet e mëtejshme do të shqyrtojnë rolin e Çanit dhe Shehut në këto aktivitete dhe lidhjet e tyre me grupe të tjera kriminale.

Detaje nga aktiviteti i Shehut

Konkretisht Fatjon Shehu, është vendosur në krye të Drejtorisë së Anti-Kontrabandës rreth dy vite më parë. Z. Shehu është nipi i ish bosit të madh të trafikut të heroinës, Behar Sofia, i ekzekutuar në 25 shkurt 2021, pranë ETC-së në Tiranë. Sofia, i skeduar për trafik droge prej 25 vitesh, besohet se kishte lidhje të forta me turkun Abduselam Turgut, i arrestuar disa vite më parë në Shqipëri.

Por ky detaj është shpërfillur nga autoritet ligjzbatuese, teksa nipit të të ndjerit Sofia i është besuar pikërisht Drejtoria Anti-Kontrabandës në Dogana. Sakaq Fatjon Shehu në krye të Anti-kontrabandës besohet se është investim i një personazhi që është shpallur “non-grata” nga SHBA-të, me të cilin sot që flasim dyshohet se kanë kapur monopolin e tregtisë sidomos të mallrave dhe tekstileve, duke u kthyer në makth për biznesmenët e ndershëm shqiptarë.

Detaje nga aktiviteti i Çanit

Ndërkohë nga ana tjetër, kur shpërtheu skandali i mbetjeve të dyshuara kimike, Voxnews.al solli informacionet e marra në rrugë zyrtare në lidhje me dyshimet që mund të ketë luajtur në daljen e këtyre mbetjeve me dokument të falsifikuar nga Shqipëria, drejtori i Drejtorisë së Informacionit në Dogana, Klodian Çani. Sipas burimeve, posti si drejtues në Drejtorinë e Informacionit për Klodian Çanin shërben vetëm si kamuflim dhe trampolinë për të bërë atë që ai di të bëjë më mirë, organizimin dhe koordinimin e kontrabandës, shmangies së kontrolleve, apo kalimin e dërgesave me dokumentacione të falsifikuara, si në rastin e lëndëve të dyshuara toksike të Kurum.

Burimet pohojnë se Çani është njeriu ‘i kontaktit’ për grupet dhe bizneset që duan të fusin, apo nxjerrin jashtë vendit mallra kontrabandë. Voxnews.al nuk mund të konfirmojë nëse Klodian Çani ka pasur rol dhe cili ka qenë roli i tij në rastin e lëndëve të dyshuara toksike të Kurum. Por, ajo që Voxnews.al mund të sjellë për lexuesin është CV e pasur e Klodian Çanit me bëma në sektorin e doganave, ku e ka nisur vite më parë karrierën si doganier i thjeshtë për të ngjitur më pas me shpejtësi shkallët e karrierës, edhe pse është hetuar dhe në një rast edhe është pezulluar. Voxnews.al ka publikuar dokumentet e hetimit administrativ të nisur në 2015-n, kur Klodian Çani shërbente në doganën e Kakavijës si përgjegjës turni. Në atë kohë, ai bashkë me vartësit e tij në turn u pezulluan nga detyra pasi lejuan kalimin pa zhdoganim të një kamioni.

Hetimet e prokurorisë në atë kohë zbuluan se nuk bëhej fjalë për një rast sporadik, por për një aktivitet të mirëfilltë kontrabande ku roli i Klodian Çanit ishte thelbësor. “Hetimi i prokurorisë zbuloi se vetëm në muajt nëntor-dhjetor të 2014-s janë tetë raste kur kamionë me mallra hynin nga Greqia kontrabandë për në Shqipëri, duke shmangur miliona euro taksa. Dokumentet e doganave greke në atë kohë, të siguruara nga Voxnews.al tregojnë se vetëm në një rast, vlera e mallit të importuar nga Greqia për në Shqipëri vlerësohej përafërsisht 15 milionë euro. Bëhet fjalë për një ngarkesë me cigare dhe alkool, që të dyja mallra për të cilat paguhet akcizë. Vetëm akciza e shmangur në këtë rast, sipas përllogaritjeve të përafërta shkon në mbi 1 milionë euro.

Megjithatë, edhe pas këtyre hetimeve Klodian Çani si me magji i mbylli hesapet me drejtësinë dhe u rikthye në detyrë në një post në doganën e Tiranës. Këtu, siç thonë burimet e Voxnews.al ai perfeksionoi skemën e kontrabandës, ku herë me letra të falsifikuara dhe herë duke mos hapur kontenierët e mbushur me mallra akcize. Voxnews.al do të vijojë me investigimet mbi këtë personazh kontravers të doganave duke njohur publikun me fakte dhe dokumente edhe për dënimin e tij me 3.5 vite burg në Greqi për grabitje bankomatesh”, thuhet në artikull të publikuar në 2 Tetor 2024.