Klodiana Lala zbardh dëshmitë e specialistëve për ndërhyrjen në TIMS, ja çfarë u kishte thënë Ervin Muça për të dhënat
10 Prill 2024
Emisioni “Në Shënjestër” nga gazetarja Klodiana Lala ka trajtuar mbrëmjen e sotme ndërhyrjes në sistemin TIMS që shkaktoi reagime të shumta përfshirë edhe atë të ambasadës amerikane në Tiranë, duke zbardhur me detaje atë çfarë ka ndodhur.
Por data 2 gusht, duket se ka qenë e gjatë dhe e vështirë edhe për specialistët e tjerë në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit. ë cilët tregojnë se si papritur u gjendën në mes të një lufte të hapur midis drejtorit të madh, në këtë rast Ervin Muça që i urdhëronte të bënin back up-in e të dhënave të sistemit TIMS, dhe në krahun tjetër shefit të sektorit, Ardit Muço, që u dërgonte email ku u tërhiqte vëmendjen të mos e bënin një gjë të tillë, pasi ishte në kundërshtim me ligjin. GS, specialiste në këtë zyrë, e cila kishte vetëm një muaj që kishte filluar punë në këtë drejtori, thotë se pasi në zyrë u erdhi drejtori Ervin Muça, njëkohësisht në këtë moment atyre u mbërriti edhe një email nga shefi i sektorit Ardit Muço, që u kujtonte përgjegjësitë në rast se do të ndërmerrnin veprime të tilla.
“Më datë 2 Gusht, rreth orës 15.00 në zyrë ka ardhur drejtori Ervin Muça, i cili u ka kërkuar dy prej specialistëve mbylljen e aksesit për shefin e sektorit dhe në vazhdim të raportonim vetëm te ai, pra te drejtori. Por pa kaluar as 5 minuta, në adresat tona erdhi një email nga adresa e Ardit Muços, ku ai na shkruante që të mos bënim asnjë proces lidhur mbi back up-in e të dhënave në sistemin TIMS. Kjo pasi sipas tij është e ndaluar dhe përgjegjësia është individuale”, ka dëshmuar specialistja G. S.
Këtë urdhër të drejtorit Ervin Muça, e konfirmon edhe A. V, specialiste në zyrë, e cila asistoi në marrjen e të dhënave, bashkë me një tjetër kolege të saj si edhe me personin për të të panjohur, por që ishte thirrur nga drejtori Ervin Muça, për të bërë eksportin e të dhënave.
“Më datë 2 Gusht 2023, drejtori më mori në telefon dhe më tha t’i shkoja në zyrë. Ku më kërkoi që të bëja një kopje të të dhënave që lidheshin me back up-in e sistemit TIMS dhe sistemeve te tjera që janë pjesë e back up. Nga ana ime nuk është përcjellë asnjëherë dhe askujt asnjë kopje e bazës së të dhënave. Po më këtë datë, më duhet të them se një punonjës i jashtëm, njohje e drejtorit Ervin Muça, tentoi të kryente procesin e back up, por dështoi në këtë proces”, ka deklaruar specialistja A.V.
Por ndërsa specialistja A. V, thotë se procesi dështoi, pra të dhënat nuk kaluan në Hard Diskun e jashtëm, kolegia e saj Xh.Ç, rrëfeu për grupin hetues se operacioni për kalimin e të dhënave nuk ishte kryer i plotë. Pavarësisht se të dhënat nuk ishin marrë plotësisht, ajo që përbën habi në këtë histori është se Hard Disku në fjalë ditën e nesërme është dorëzuar, i boshatisur dhe se ende nuk dihet se ku përfunduan ato të dhëna që ishin mundur të shkarkoheshin. Zyrtarja me inicialet Xh.Ç tha se fillimisht drejtori Ervin Muça i kërkoi asaj përmes telefonit, se duhet të bënin një back up të bazës së të dhënave të sistemit TIMS, ku ajo i ishte përgjigjur se nuk kishte fjalëkalimet dhe as njohuritë e duhura për të kryer një proces të tillë.
Drejtori i kishte thënë që këtë proces do e bënte bashkë me specialisten A. V. Ai ishte porositur nga drejtori të përmbyllte me sukses procesin. Ku gjatë kësaj kohe në zyrën e tyre mbërriti për ndihmë edhe Klodian Mazari, punonjës pranë AKSHI-t. Më tej në dëshminë e saj, zyrtarja e policisë shpjegoi se drejtori Muça i kishte kërkuar të hapte portat e USB, pasi të dhënat do të hidheshin në një Hard Disk të jashtëm. Ndërsa pasi i la në dorë Hard Diskun, drejtori Ervin Muça u përpoq të bindte vartësen e tij se të dhënat do të ruheshin në një kasafortë, për arsye sigurie, për shkak të ndonjë sulmi kibernetik. Por ky operacion pavarësisht se ata kishin qëndruar në zyrë deri në orët e para të mëngjesit të datës 3 gusht, nuk ishte përmbyllur me sukses.
“Gjatë kohës që A. V u ul në kompjuterin tim për të bërë back up-in, në këtë moment në zyrë vjen edhe një person nga AKSHI, i cili erdhi aty për të ndihmuar kolegen time. Ndërkohë që sipas urdhërit të drejtorit unë duhet të qëndroja për gjatë gjithë kohës aty, për të mësuar se si kryhej procesi. Gjë që e bëra deri në orën 20.30, pasi procesi nuk po mbyllej. Nga ajo që mësova është se eksportimi i të dhënave ishte kryer vetëm në masën 500 mgb. Por jo i gjithë, pasi diçka nuk shkonte”, ka dëshmuar Xh. Ç.
Të nesërmen zyrtarja i tha Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, se një kolege e kishte informuar përmes telefonit se kishin qëndruar deri në mesnatë në institucion dhe se procesi nuk kishte përfunduar. Ndërkohë që në zyrë, në kompjuterin e saj ajo gjeti mbi tavolinë edhe Hard Diskun që një ditë më parë ia kishte dhënë drejtori Ervin Muça, Hard Disk që do të shërbente për të hedhur të dhënat e sistemit. Por që kur ajo e kontrolloi, kuptoi që ishte bosh dhe nuk kishte asnjë të dhënë të ruajtur.