Klonoi delen gjigante, dënohet me burg amerikani
7 Tetor 2024
Një mbarështues bagëtish në shtetin Montana në SHBA u dënua me 6 muaj burg pasi klonoi një specie të një deleje gjigante, për t’i shitur më pas të vegjlit e saj për gjueti, shkruan A2 CNN.
Sipas dokumenteve të shfaqura në gjyq, 81-vjeçari Arthur “Jack” Schubarth, importoi në mënyrë të paligjshme nga Kazakistani pjesë trupi nga delja argali “Marco Polo” – një rracë e egër që rritet në Azinë Lindore dhe Himalaje – dhe dërgoi materialin gjenetik në një laborator për të klonuar embrionet.
Nga procesi i klonimit doli vetëm një dash i kësaj race, të cilin i pandehuri e quajti Mbreti i Malit në Montana. Më pas ai përdori individin mashkull për të mbarsur dele të zakonshme, ndërsa të vegjlit i shiste për t’u përdorur në gjueti, shkruan A2 CNN.
Deshët e kësaj race mund të peshojnë mbi 135 kg dhe kanë brirë deri në 1,5 metra të gjatë. Mbarështimi i tyre është i ndaluar në Montana, për të mbrojtur speciet vendase të deleve nga sëmundjet dhe për të parandaluar krijimin e specieve hibride.
Por sipas autoriteteve, një prej të vegjëlve që kishte baba “Mbretin e Malit” shitej deri në 10 mijë dollarë. Përveç burgut, i moshuari, i cili shfaqi pendesë në sallën e gjyqit, do të paguajë edhe një gjobë prej 20 mijë dollarësh. Ndërsa “Mbreti i Malit” do të dërgohet në një kopsht zoologjik. (A2 Televizion)