17 Mars 2025

Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi, ka denoncuar sot në një deklaratë për mediat kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, e cila është marrë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

Këlliçi është shprehur se Klotilda Bushka është sekserja e çiftit Veliaj dhe të krerëve të ‘drejtësisë së re’ si Naureda Llagami.

Ai nënvizon se Bushka, në shkelje të ligjit dhe të pavarësisë së institucioneve, e përdor detyrën si kryetare e Komisionit parlamentar të Ligjeve për të shkëmbyer favore.

Nga bisedat e publikuara në media një ditë me parë, që datojnë në periudhën nëntor 2023 – janar 2024, rezulton se Klotilda Bushka përdor jo vetëm restorante luksoze, por edhe zyrën private të familjarëve të Veliajt dhe aplikacione të sigurta si “Telegram”, për të bërë biseda dhe pazare në shkelje të ligjit, duke shpërdoruar detyrën.

Sipas Këlliçit, Bushka i ofron ish-kreut të KLGJ-së, Llagami, mbështetje për zgjedhjen e saj në Gjykatën Kushtetuese, kur kësaj të fundit t’i mbarojë mandati në KLGJ.

Në këmbim të ndihmës që Bushka kërkonte nga ata që kishin shqyrtimin e dosjeve hetimore në Apelin e GJKKO-së, ofronte emërimet në Kuvend dhe vijimin e karrierës në sistemin e drejtësisë së re.

Ndër të tjera në biseda tregohet se Llagami e paralajmëron arrestimin e Veliajt.”Javët e fundit, media të ndryshme kanë sjellë në vëmendjen e publikut lidhjet okulte të deputetes së Partisë Socialiste dhe kryetares së Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Klotilda Bushka, me kreun e ‘5D’ dhe pronarin faktik të inceneratorit Tiranë, Erion Veliaj.

Madje në raportimet e fundit mediatike shihet qartë se Klotilda Bushka vihet në rolin e sekseres së çiftit Veliaj dhe të krerëve të ‘drejtësisë së re’ si Naureda Llagami.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve u denoncua pak javë më parë nga emisioni investigativ ‘PLUG’ në ‘Syri TV’, si një ndër hallkat kryesore të zinxhirit korruptiv që përfshin çiftin Veliaj dhe shoqatat e kontrolluara prej tyre, me në krye Institutin ‘Benussi’ dhe OJF-të ‘BYL-A’ dhe ‘SHIZI’.

Ditën e djeshme, ‘Ora News’, një media tjetër e sulmuar barbarisht nga kryebashkiaku i Tiranës, pasqyroi prova dhe fakte të reja se si Bushka, në shkelje të ligjit dhe të pavarësisë së institucioneve, e përdor detyrën si kryetare e Komisionit parlamentar të Ligjeve për të shkëmbyer favore.

Nga bisedat e publikuara ditën e djeshme, që datojnë në periudhën nëntor 2023 – janar 2024, rezulton se Klotilda Bushka përdor jo vetëm restorante luksoze, por edhe zyrën private të familjarëve të Veliajt dhe aplikacione të sigurta si ‘Telegram’, për të bërë biseda dhe pazare në shkelje të ligjit, duke shpërdoruar detyrën.

Në këto biseda, Bushka i ofron ish-kreut të KLGJ-së, Llagami, mbështetje për zgjedhjen e saj në Gjykatën Kushtetuese, kur kësaj të fundit t’i mbarojë mandati në KLGJ.

Në këmbim të ndihmës që Bushka kërkonte nga ata që kishin shqyrtimin e dosjeve hetimore në Apelin e GJKKO-së, ofronte emërimet në Kuvend dhe vijimin e karrierës në sistemin e ‘drejtësisë së re’.

Kur, siç shprehet në bisedat e bëra mediatike, Llagami e kupton se Bushka po e gënjen, ajo vetë pranon edhe se Veliajn nuk e zë viti, duke paralajmëruar kështu burgosjen e kryebashkiakut të Tiranës.

Bisedat, shkëmbimet dhe tratativat e Bushkës dhe njerëzve të saj me drejtuesit e sistemit të drejtësisë, nuk janë më shumë se pazare kriminale në kurriz të ligjit dhe qytetarëve.

Kur sheh këto biseda, në fakt e kupton mjaft qartë se cila është këneta dhe se kush janë zvarranikët, të cilëve shqiptarët duhet t’u heqin vizën njëherë e përgjithmonë më 11 maj”, deklaroi Këlliçi./ CNA