KLSH: 122 monumente të rrënuara, po aq në risk! Ministrja: E vërteta për heqjen e statusit e restaurimet e gabuara! – Nëse lista përditësohet, lajmi bombastik
Në këqyrjen që KLSH bën për vitet 2019-2021, konkludon se 122 monumente të tjera janë plotësisht të shkatërruara e 884 që kanë nevojë për restaurim, po ashtu ka 98 objekte të tjetërsuara e 15 pa kartelë. Për mirëmbajtjen e tyre, problemet i gjen tek financimi i pamjaftueshëm buxhetor, mungesa e harmonizimit të politikave mes Ministrisë së Kulturës e institucioneve të tjera në nivel qendror dhe vendor.
Gjatë tri viteve të fundit ndërhyrjet restauruese dhe mirëmbajtëse në monumentet e kulturës kanë vijuar. Në vitin 2019 raportohen t’i jenë nënshtruar këtyre proceseve 109 objekte, në vitin 2020, 218 të tjera, ndërsa në vitin 2021 numërohen 115 objekte, por cilat do të kenë në vijim prioritet?
“Kemi një plan mirëmbajtje, i shpërndarë sipas një liste prioritare, liste emergjence, dhe më pas me një list tjetër, që lidhet me mirëmbajtjen e vetë drejtorive rajonale në territor. Dhe të mos harrojmë, që nisma më e fundit, ajo e bonusit të rijetësimit, i ka dhënë një shtysë të madhe restaurimit dhe rijetësimit”, shton më tej Margariti.
Edhe sa i përket proceseve restauruese, ka pasur denoncime publike për ndërhyrje të gabuara. Disa raste ka evidentuar Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, përfshirë edhe Xhaminë e Pazarit.“Patjetër, që shpeshherë duhet një sy shumë më vigjilent, sidomos përsa i përket përzgjedhjes së materialeve, jo vetëm në kompozimin arkitektonik ndërhyrës, sepse ato janë projekte të miratuara në Këshillin tonë Kombëtar të Trashëgimisë… Kështu që çdo ndryshim nga projekti është si një leje e parespektuar”, u shpreh Margariti, duke theksuar se Ministria e Kulturës, është e hapur ndaj kritikave që synojnë përmirësimin e mirëmbajtjes dhe ndërhyrjeve restauruese.
Parë situatën, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka rekomanduar, ngritjen e një grupi pune, për analizimin e shkaqeve dhe gjetje të zgjidhjeve konkrete.
Gayeta Shqiptarja.com