KLSH raporton dëme në shifra shumë të larta në financat e shtetit. –
KLSH raporton dëme në shifra shumë të larta në financat e shtetit. –
5 prill 2019
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar gjatë auditimeve të zhvilluara vitin e shkuar dëme kolosale në financat e shtetit e lidhur kjo si në kahun e shpenzimeve ashtu edhe të të ardhurave të munguara që duhet të ishin arkëtuar.
Në raportin e performancës së institucionit të dorëzuar në Kuvend për vitin e shkuar, KLSH vlerëson se në total janë konstatuar parregullsi financiare dhe dëm ekonomik afërsisht 1.7 miliardë euro.
“Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 24.1 miliard lekë ose 193 milionë euro. Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 189.8 miliard lekë, afërsisht 1,518 milionë euro nga e cila: 116 miliard lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 923 milionë euro dhe 73.8 miliard lekë afërsisht 587 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve” thuhet në raport.
Detyrimet e prapambetura në rritje
KLSH ka nënvizuar se ka një problematikë të theksuar nga ana e institucioneve publike lidhur me detyrimet e prapambetura.
Sipas këtij institucioni paratë e buxhetit në një pjesë të mirë të rasteve shkojnë për punë që duhet të ishin paguar me kohë çka bën ul efektin që kanë këto shpenzime në jetën e qytetarëve.
“Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit vjetor shkon për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të viteve të kaluara duke mos prodhuar rritje reale të buxhetit, por pagesa për shërbime dhe të mira që janë realizuar në vitet e mëparshme buxhetore. Nga KLSH u konstatuan 6,857 pagesa të faturave dhe detyrimeve të prapambetura në shumën 8.7 miliardë lekë. Ndërkohë u analizuan pagesat e kryera gjatë 7-mujorit 2018 ne zërin shpenzime kapitale ku rezulton se pagesat e lidhura me fatura që mbajnë datë 2017 janë në vlerë 11.5 miliardë lekë, duke treguar që gjatë vitit 2017 detyrimet e prapambetura janë rritur” – thuhet në raport.
Po kështu sistemet e parandalimit të krijimit të detyrimeve të prapambetura sipas KLSH, megjithëse të ndërtuara nuk janë efikase. “Sistemet e detektimit dhe marrjes së masave janë të dobëta dhe kërkojnë përmirësim të ndjeshëm në monitorim dhe detektim”.
Borxhi publik sipas KLSH
Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se përqendrimi i borxhit publik drejt huamarrjes së huaj ka sjellë rritjen ekspozimit ndaj riskut të normave të interesit.
“Menaxhimi i likuiditetit paraqitet me dobësi të theksuara i bazuar në një metodologji që ofron informacion të limituar dhe jo të konsoliduar nëpërmjet institucioneve kryesore shpenzuese dhe arkëtuese. Koordinimi ndërmjet strukturave të borxhit dhe likuiditetit është i dobët, duke u përqendruar vetëm tek monitorimi i pagesave sesa një menaxhim i mirëfilltë i flukseve hyrëse dhe dalëse” thuhet në raport.
Ashtu si edhe një vit më parë KLSH tërheq vëmendjen për mënyrën sesi bëhet llogaritja e borxhit publik dhe mos përfshirja e disa elementëve që nëse do të integroheshin do të nxirrnin një shifër të re të borxhit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto – raporton Monitor.
a.d. / dita