Koço Kokëdhima i dërgon letër ambasadorit Lu. –

-Kryetari i partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima, i dërgoi sot një letër ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu. Sipas një deklarate për shtyp të zyrës së shtypit të Partisë Zgjidhja, në këtë letër Kokëdhima e informon ambasadorin  për zhvillimet dhe aktivitetin politik të partisë, dhe i parashtron disa kundërshtime dhe kërkesa rreth rolit të tij si kryediplomat i SHBA-ve në Tiranë.

Kokëdhima nuk jep hollësi për përmbajtjen e letrës, por mendohet se ajo ka lidhje me deklaratën e pak ditëve më parë, kur ambasadori Lu, gjatë një takimi të shoqërisë civile, përmendi edhe emrin e kreut të Zgjidhja, mes ish-zyrtarëve dhe ish-deputetëve që u larguan nga detyra si rezultat i funksionimit të ligjit të dekriminalizimit dhe punës së gazetarëve kurajozë.

Kjo është hera e dytë që ambasadori Lu adreson akuza ndaj ish-deputetit Kokëdhima.

Deklarata për Shtyp e Partisë Zgjidhja:

“Kryetari i partisë “Zgjidhja”, z.Koço Kokëdhima, i ka dërguar sot një letër ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, z.Donald Lu. Në këtë letër z. Kokëdhima e informon z.Lu për zhvillimet dhe aktivitetin politik të partisë “Zgjidhja” dhe i parashtron shkëlqesisë së tij disa kundërshtime dhe kërkesa rreth rolit të tij si kryediplomat i SHBA-ve në Tiranë”.