Kol (Nikollë) Idromeno- piktor dhe personalitet i madh i artit shqiptar.-
Kol (Nikollë) Idromeno- piktor dhe personalitet i madh i artit shqiptar.-
Kolë Idromeno (1860-1939), piktori i filozofimit të penelatës, artisti polidimensional i pikturës, fotografisë, arkitekturës e muzikës, në kapërcyell të shekullit të XIX-të. Deri kohët e fundit është njohur dhe për të kanë folur, vetëm si krijues i pikturave “Motra Tone” (1883) e “Dasma shkodrane” (1924), filluar 15 vjet më parë, në vitin 1909, një vepër me të vërtetë e veçantë për studimin e karaktereve që ka ngjizur, pavarësisht se krijimtaria e tij nuk mbyllet me këta dy vepra, pasi në galeritë e ndryshme të Shkodrës ruhen edhe disa portrete të tjera e pak pejsazhe.
Por cila vepër e tij e bën atë një krijues mister, hulumtues dhe filozof i penelimit, duke i dhënë, në artin e pikturës, vetë jetës, një dimension deduktiv dantesk dhe mjaft analitikë anës teologjike të saj. Mirpo ky fakt idromenian është mbajtur larg shijuesit të artit të pikturës për shumë arsye ideologjike dhe më vonë, edhe për patalogjizëm social, që rrjedh nga inercia e monizmit genoz ne vendin tonë, edhe sot e kësaj dite.
Tema fetare është po aq e realizuar dhe e personifikuar sa edhe ajo realiste dhe ato së toku futen në atë që quhet Traditë apo shkollë shkodrane.
Idromeno ishte një nga themeluesit e kësaj shkolle, edhe pse ai, në fakt, është më i shquari piktor realist romantik e më pas, kritik, që bashkon dy shekujt XVIII dhe XIX. Ai është ndër piktorët më jetësor, sidomos kur pikturën e tij e lidh edhe me biblikën. Këtë aftësi e shohim të shpërfaqur edhe në kishat e rrethinave të Shkodrës si në kishën e Shalcit pranë Ulqinit (1897), në Katedralen e Shkodrës, në Kishën e Fushë Ҫelës, në Kishën e Shirokës (1906), në Kishën e Kuklit dhe në Kishën e Vaut të Dejës Ulqin, por janë të mahnitshme edhe Freskat e Kishës Ortodokse të Shkodrës, (1881), ku vërehen vlera impresionuese të Ferrit dhe Parajsës.
Në këto punime të veçanta për nga tematika, plazmimi dhe realizimi, që janë shumë larg ndikimeve të së kaluarës bizantine, që deri vonë ishin ndjerë edhe në Shkodër, Idromeno dëshmohet shumë larg dhe mjaft origjinal. Kjo pikturë shquhet për një plastikë dhe formë që flet qartas dhe me zë të lartë, e motivuar në luftë kundër veseve dhe plagëve sociale të asaj kohe. Dhe, në këtë aspekt, duket se ai operon me të njëjtat mjete shpirtrore si edhe Migjeni, veçse ato që ai i ka në mendimet e tij nuk i vesh me fjalë, por me penelata. Këtë, na e jep më së bukri kompozimi në vaj, “Dy rrugët” (1892) i përmasave: 1, 96 m x 1, 69 m, që gjendet në Galerinë e Artit në Shkodër. Ka aq dashuri dhe realizëm, ka aq biblikë dhe realitet, jetë të vërtetë qyteti e krahine, e mbi të gjitha, mbizotëron vizioni i botës së përtejme, Ferrit e Parajsës.
Veprat e tij janë shumë më tepër se sa kemi njohur ne. Ata e pasurojnë jo vetëm biografinë e Idromenos, por edhe i japin nder vendit të tij, një nder, që ia privuan me qëllime dashakeqe. Dhe këto vepra janë: “Vdekja e kapadaisë”, “Ora e fundit”, “Gjygji i të keqit”, “Të shenjtëruemit e Marisë” apo “Rrugët e jetës”, “Gjygji i fundit”, “Betimi i rremë”, “Martesa e parregullt”, që, katër të fundit i ka publikuar edhe konsulli austriak në Shkodër (1893-1896), zoti Ogyst Degrand në librin e tij “Kujtime nga Shqipëria e Epërme”.
Kompozimi i madh “Rrugët e jetës”, njohur ndryshe edhe si “Dy rrugët”, përfunduar reth 1890-1896, një nga kompozimet më të jashtëzakonshme të pikturës shqiptare e ndoshta edhe një arritje në artin botëror. Aty është ngjizur fati dhe fataliteti i njerëzimit, jo vetëm në kohën e poetit, por një fat e fatalitet i përjetshëm. Vepra duket qartë se është e frymëzuar nga një prirje e Rilindjes italiane dhe një udhë e re në artin shqiptar.