Koleksione te trasheguara. Ibrahim Shyti.

– Fletëvotimet e Qeverisë së Vlorës dhe qyteti bardh e zi.

Fatmira Nikolli  – Në fletëvotimet e përdorura në zgjedhjet e qeverisë Provizore të Vlorës, me shkrim dore sheh Murat Toptanin, Zihni Kaninën, Rexhep Mitrovicën, Veli Bej Klisurën, Kristo Meksin, Dhimitër Zografin, Isa Boletinin, Th.Floqin, Mustafa Krujën, Eqrem Bej Vlorën, Ilias Vrionin dhe anas tyre, votat: 55, 54, 48, etj., etj. Në të njëjtën stendë dëshmohet përmes një dokumenti edhe kontrolli i qeverisë së Vlorës mbi të huajt që hyjnë në qytet, me emra të huajsh e shqiptarësh që kanë ardhur atyre anëve në tetorin e 1913-ës.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë kanë çelur dje te kinemaja verore ekspozitën e lëvizshme “Vlora në dokumentet e AQSh”. Ekspozita përbëhet nga dokumente dhe fotografi historike të qytetit të Vlorës, deri në fund të Luftës II Botërore.
Kësodore janë ekspozuar edhe listat e nëpunësve të Prefekturës së Vlorës, ndërtesa e bashkisë para 1944-ës, ajo e prefekturës, procesverbali i zgjedhjeve të mbajtura në katundin Shushicë më 1930 dhe një tabelë me numrin e popullsisë më 1923.

Mes të tjerave, si për të dhënë jetën e banorëve të zonës ato kohë, jepet edhe dokumenti i një kërkesë për pension invaliditeti parashtruar Prefektit të Vlorës nga një veteran I Luftës së Vlorës, kërkesa e një banori të fshatit Dukat që kërkon leje gjuetie, letërnjoftimi i Llazi Dhaskalit më 1925, deri edhe te spitali neuro-psikiatrik i Vlorës, lista e punonjësve të tij dhe një mandat arkëtimi i prefekturës përmes të cilit pranon dhuratën prej 25 mijë lirash(?) nga familja Vlora në dobi të spitalit shtetëror. Ka mes tyre edhe një korrespondencë të Dhomës Tregtare të Vlorës me përfaqësitë diplomatike dhe tregtare në Vlorë ku paraqiten lista emërore të tregtarëve të Vlorës si edhe llojet e mallrave që tregtojnë. Bien në sy emrat e tregtarëve hebrenj Mateto, Moise e Jozef Matathia dhe Nesim Levi.

POLICËT
Mes shumë dokumenteve veçojmë disi atë që përcakton rregullat për mbajtësit e rendit. Janë dy nene të përkohshme të zyrës së policisë së Vlorës. Në nenin 1 thuhet se çdo profesionist teknik, ose ekspert kur ta dojë nevoja “asht i detyrumun me ju bindun urdhnavet të Policisë q’i përkasin interesit moral dhe material të përgjithshëm”. Në pikën “a” thuhet se kur nuk ndodhet një hoxhë a një prift i detyrumun, një hoxhë ose një prift i vendit urdhnohet me i mbarue ceremonitë fetare ndaj të vdekunit dhe e njëjta gjë urdhërohet edhe për mjekët e infermierët në rast se jeta e dikujt është në rrezik.

LIBRARIA
Ekspozita përcjell edhe një katalog të librarisë “Shpresa” në Vlorë pronë e Ibrahim Shytit si edhe një njoftim i tij, ku bën me dije se: “e përmirësuam dhe begaduam Librarinë që kemi filluarë që më 1912 me frikë e mundimë nga rebelet dhe grabitësit e huaj në kohërat fatkeqe. Lumtësisht sot që mbusehmi me frymën e kulluarë të lirisë tonë: e kemi plotësuar me shumë lloi libra dhe rivita sa janë shtypur gjer më sot në gjuhënë tonë.

Në librarinë tonë shiten dhe gjithë gazetat shqip që dalin. Kemi dhe nga ato të vjetërat të viteve të shkuara që kur i kujtojmë nga dridhet mishtë: “Përlindja e Shqipënisë”, “Populli”, “Shqypja e Shqypënisë”, “Rufeje”, “Lirija”, Shqipëri e re”, “Atdheu” e të tjera dhe kuvendin e kemi. Kush e di mase i duhet njeriut nonjë numurë si nga çdo gazetë shqye le të më shkruajë mua: Vlonë, Ibrahim Shyti

Nga: Gazeta Shqiptare.