Koleksioni papal, Vatikani i kthen Greqisë 3 artefakte 2500-vjeçare
9 Mars 2023
Tre fragmente mermeri të Partenonit do t’i kthehen Kishës Ortodokse Greke me urdhër të vetë Ati i shenjtë, Papa Françeskut. Artefaktet 2500-vjeçare ruheshin në Muzetë e Vatikanit, si pjesë e koleksionit papal.
Tre fragmente mermeri 2500-vjeçare të Partenonit riatdhesohen në Greqi. Vendimi është firmosur nga Muzetë e Vatikanit, teksa artefaktet kanë qenë pjesë e koleksioneve papale për më shumë se një shekull.
Ishte vetë Ati i shenjtë, Papa Françesku i cili urdhëroi kthimin e tyre dhjetorin e kaluar, duke ja dhuruar kreut të Kishës Ortodokse Greke, Ieronymos.
Ky gjest i Papës është cilësuar “historik” nga ministrja greke e Kulturës dhe Përfaqësuesi i kryepeshkopit grek.
“Ati i Shenjtë, Papa Françesku, duke dashur të japë një shenjë konkrete të vazhdimit të rrugës ekumenike dhe dëshmimit të së vërtetës, i jep Kishës Ortodokse të Greqisë, drejtuar nga Kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë Greqisë, Fortlumturisë së tij Ieronymos, fragmentet e Partenonit të përshkruara dhe të përfaqësuara nga materiali fotografik dhe të ruajtura deri më sot në Muzetë e Vatikanit”, tha kardinali i ngarkuar me këtë detyrë, Fernando Vergez Alzaga.
Fragmentet e mermerit që i kthehen Greqisë janë koka e kalit që tërhiqte karrocat e garave me katër kuaj të Athinës në anën perëndimore të ndërtesës, koka e një djali dhe koka e një mashkulli me mjekër.
Përfaqësuesit grekë thanë se gjesti duhet të përbëjë një shembull për të tjerët, duke ju referuar koleksionit të skulpturave të Partenonit që mbahet nga Britania.
Dy vendet janë prej vitesh në bisedime për kthimin e koleksionit në fjalë që ruhet në Muzeun Britanik, dhe njihet ndryshe si Mermeret Elgin.
Nga Besmira Pelushaj, Tv Ora.