Koleksionisti Kozma Dashi: Ekspozite – 100 kartolina te Tiranes kryeqytet
Koleksionisti Kozma Dashi: Ekspozite – 100 kartolina te Tiranes kryeqytet
Nga: Anila Dedaj
12 Shkurt 2022
102 vite kryeqytet, Tirana e vjetër në koleksionin e rrallë me 100 kartolina! Koleksionisti: Të mos bëhemi një komb me amnezi.
Në kuadër të 102-vjetorit të Tiranës kryeqytet, ekspozohen në Kalanë e Tiranës kartolina të rralla. Në to pasqyrohen ndërtesat e vjetra, shumë prej të cilave sot nuk janë më. Koleksionisti Kozma Dashi bën thirrje, që të ruhet trashëgimia arkitekturore.
Vogëlushët vallëzojnë nën tingujt e muzikës popullore tiranase… Janë fëmijët e e Ansamblit Folklorik “Shqiponja” . Në Kalanë e Tiranës, ekspozohet kryeqyteti që ata nuk do mund të njohin…
Koleksionisti Kozma Dashi përmes 100 kartolinash, në kuadër të 102-vjetorit të Tiranës kryeqytet, shpalos arkitekturën e vjetër të kryeqytetit . Xhamia e Sulejman Pashës, hap ciklin e ekspozitës. Mes imazheve, vizitorët njihen me pulla, kartëmonedha, etnografinë tipike, si dhe momente e personazhe historike me peshë të kryeqytetit.
“Është një udhëtim në kohë, i cili përfundon në vitin 1939”, thotë Dashi
Përmes këtyre kartolinave, të mbledhura për më shumë se dy dekada, koleksionisti kërkon të përçojë një mesazh për mirëmbajtjen e trashëgimisë arkitekturore të kryeqytetit… që siç thotë, ditë pas ditë po bëhet pre e një masakre urbane.
“Këto janë ekspozuar për të treguar se duhen ruajtur, që të mos bëhemi një komb me amnezi, që s’kemi asgjë për të treguar” shton koleksionisti.
Pjesë e ekspozitës ishin dhe kartolina të familjes mbretërore, si dhe harta e imazhe të Shqipërisë, botuar në revista të huaja…
Shqiptarja.com