Kolonja, në kërkim të rrënojave të 30 kalave. –
Kolonja, në kërkim të rrënojave të 30 kalave. –
26.09.19
Nga Prof. Skënder ALIU
– Jo gjithkush e di se emri Kolonjë ka pasur dikur funksion të dyfishtë. Fillimisht si emër i një qyteti, i cili vazhdon të jetë ende i paidentifikuar dhe njëkohësisht si emër krahine.
Krahina fiziko-gjeografike, që njihet me këtë emër, dominohet në lindje nga malet e Gramozit, kurse nga tri anët e tjera, lartësohen një varg kodrash njëra pas tjetrës, të cilat së bashku i japin pamjen e një kështjelle natyrore.
Është vërtet befasues fakti që, mbi sipërfaqen e kodrave shkëmbore të cilat lartësohen pranë rrugë kalimeve, ruhen aktualisht rrënojat e mureve rrethuese të 30 (tridhjetë) kalave të kohëve të ndryshme.
Vendin kryesor e unikal në këtë grup të madh kalash, e zë një trakt muri i zbuluar gjatë gërmimeve sistematike të viteve 1968-1970, në vendbanimin Neo-Eneolitik të Kamnikut, që është datuar nëpërmjet importeve nga Dimini Klasik, pranë Vollosit në Thesali, në fund të mijëvjeçarit të IV P.es Ky trakt ka shërbyer e shërben edhe sot si një pikë referimi, për të argumentuar 5000 vjet fortifikime në Shqipëri (Gj. Karaiskaj, “5000 vjet Fortifikime në Shqipëri 1981”). Kalatë e tjera që datohen në Bronzin e Vonë (Kalaja Guri i Nines Luaras), në epokën e Hekurit, Periudhën Perandorake Romake, Antikitetin e Vonë deri në Mesjetën e Hershme e të Zhvilluar.
KOLONJA, 1019
Emri i qytetit Kolonjë, që përmendet për të parën herë në burimet bizantine në vitin 1019, plot njëmijë vjet më parë, nga kronisti bizantin Gjergj Kedreni, duhet kërkuar në njërën prej këtyre kalave.
Nëpërmjet kësaj kronike, Kedren, na informon hollësisht, për fushatën ushtarake të drejtuar nga Perandori Bizantin Vasili i II, kundër Mbretërisë Bullgare. Fillimisht luftimet u zhvilluan në territoret e sotme të Bullgarisë Perëndimore dhe në vijim në tokat e Maqedonisë Perëndimore, duke pushtuar në vitin 1015 qytetin e (Soskut) Manastiri i sotëm, atje ku perandori urdhëroi të verboheshin të gjithë robërit bullgare, duke u hequr gjithkujt njërin sy, ndaj ai është quajtur nga historianë të ndryshëm “Vasil bullgar vrasësi”. Që aty ai me ushtrinë e tij marshoi drejt Shkupit e më pas arriti në Ohër në vitin 1018. Kështu mori fund “sundimit bullgar”, i cili përfshinte periudhën e viteve 851-1018, me kryeqendër Ohrin në Shqipërinë Juglindore. Me këtë rast, Perandori Vasili II e transferoi kryepeshkopatin nga Shkupi në Ohër dhe emëroi kryepeshkop të qytetit Patricin Eustath Dofnometin. Në vijim ai shkoi në Prespë, më pas në Diabol dhe arriti në Kostur.
Në vitin 1019, gjatë qëndrimit në Kostur hartoi një “bule”, në të cilën thuhet se emëroi në Durrës, Diabol e në Kolonjë, Arhontë e mbikëqyrës vendas. Në vijim, në këtë dokument lexojmë ndër të tjera: “Peshkopët në (kështjellën) qytet të Durrësit, në (kështjellën) qytet të Ohrit, në (kështjellën) qytet të Kosturit, në (kështjellën) qytet të Diabolit e në (kështjellën) qytet të Kolonjës, të kenë, klerikë 40 dhe parikë 30″, ndonëse më parë kishin më tepër, por tani nuk duhet të kalojnë numrin e klerikëve dhe parikëve të Kryepeshkopatës”.
Renditja e emrit të qytetit Kolonjë në një radhë me qytetet e tjera të dëgjuara, si dhe fakti tjetër se, numri i klerikëve dhe i parikëve, ndonëse më parë kishte qenë më tepër, janë bindëse për të pohuar, se fillimet e këtij qyteti duhen kërkuar shumë më herrët, në Antikitetin ilir.
Ky lloj organizimi administrativ ushtarak e kishtar, ka filluar që në kohën e sundimit bullgar (851 – 1018), në periudhën kur qeveriste Car Samueli (976 – 1014), i cili qeverisjen administrative dhe kishtare në Berat, Diabol, Kolonjë etj., ua besonte familjeve vendase.
KRONIKAT BIZANTINE
Në kronikat bizantine, që datohen përgjithësisht në fillim të shekullit XI dhe deri në fund të shek. XIV, emri i qytetit Kolonjë konstatohet shpesh edhe si emër krahine. Ky emër i këtij qyteti përmendet nga burimet e shkruara, kryesisht kur në rajonet perëndimore të Perandorisë Bizantine zhvilloheshin luftërat kundër Mbretërisë Bullgare, ose kundër pushtuesve normanë në brigjet e Adriatikut, si dhe në kohën e kryengritjeve fshatare në tokat e Shqipërisë Juglindore, konkretisht edhe në Kolonjë. Pa përmendur tërësinë e këtyre burimeve të shkruara bizantine, vlen të përmendim një Krisobul të Perandorit Bizantin Aleks I Komnen, që mban datën 1108, në të cilin janë shënuar emrat e qendrave kryesore, ku kanë fuqi privilegjet, që u njihen tregtarëve venecianë, ku citohen qytetet: Durrësi, Kanina, Drenopoja, Ohri, Diaboli, Kolonja etj. Një tjetër dokument, që ka të njëjtën vlerë është një letër e Theofilaktit në të cilën thuhet se: -Boemundi u detyrua të nënshkruante armëpushimin në Durrës, ashtu si dhe Gidi (i vëllai i Boemundit), i cili kishte pushtuar Arbanonin deri në Dibër, nënshkroi armëpushimin në qytetin e Kolonjës ndaj Perandorit bizantin Aleks Komneni, në vitin 1108.
Gjatë periudhës të sundimit bizantin prej 10 shekujsh, të dhënat burimore e tregimtare janë tepër të rralla, për mos thënë se mungojnë tërësisht në mjaft raste. Kështu duhet thënë edhe për shek.., V-VI dhe VII-VIII, që të vetmet dëshmi janë materialet e përfituara nga gërmimet arkeologjike, që kanë të bëjnë me zbulimet e objekteve të kultit paleokristian (Bazilikat), apo rrënojat e kështjellave e të kullave të ndërtuara nga Perandori Justinian, si dhe një numër i konsiderueshëm i varrezave arbërore, të zbuluara fillimisht në Shqipërinë Veriore e të Mesme, në Koman, Krujë, Lezhë, Bukël etj.
Gërmimet sistematike, sondazhet dhe survejimet të realizuara gjatë këtyre 50 vjetëve të fundit në rajonin e Kolonjës kanë zbuluar të dhëna e materiale interesante, që lidhen me Antikitetin e Vonë dhe Mesjetën e Hershme arbërore, shek. VII- VIII; IX, XI.
Gjatë sundimit të Perandorit Justinian, si kudo edhe në rajonin e Kolonjës, janë ndërtuar brenda mureve rrethuese të kalave ilire, kështjella e kulla mirë të datuara, gjatë Antikitetit të Vonë në shek. V-VI. Të kësaj kohe janë, muret e lidhura me llaç të kalave antike e kullave të zbuluara brenda kalave ilire, konkretisht në Kalanë “Guri i Nines” Luaras, “Goricë e Madhe” Blush, “Gradeci” Bejkovë, “Gradishta” Barmash, “Gradeci i Vrëpckës” Leskovik, ose Kullat Vrojtuese, të cilat gjenden brenda kalave, si ato në: Luaras, “Gradec” Bejkovë, Borovë, Barmash, Kamnik dhe “Gradec” të Vrëpckës, Leskovik.
Të njëjtat vlera mbartin edhe materialet e zbuluara nga survejimet ndër vite, pranë fshatrave Helmës, Bezhan, Psarr Kolonjë, Prodan, Kagjinas dhe në Shpellën e Podës.
KULTURA ARBËRORE
Prania e kulturës arbërore në krahinën e Kolonjës është argumentuar përmes materialeve të zbuluara gjatë gërmimeve dyvjeçare (1979- 1980), në tuwen monumentale iliro-arbërore të “Shën Thanasit” në Rehovë, (S. Aliu, “Tuma e Rehovës”, 2012), që lidhet me kohën e ripërdorimin të saj, si varrezë në Mesjetë gjatë shekujve VII – VIII e IX -XI. Vathët “drapër hënë”, ato me kalotë gjysmësferike, vathët me varëse “dykonike” ose të tipit “vile rrushi”, prej ari e argjendi, unazat e zbukuruara me filigran, së bashku me një grup vorbash prej qeramike, një lloj me ato të Kalasë së Dalmacës etj., provojnë praninë e kulturës arbërore në Kolonjë. Konstruksionet e varreve me gropë të thjeshtë e me orientim veri-jug, me prejardhje ilire, si dhe varret arkë ose çatie me rasa guri, me orientim lindje-perëndim, me kokë nga perëndimi, që përkon me përhapjen e krishtërimit, janë prova të sigurta të ripërdorimit nga një bashkësi vendase, që jo vetëm i shenjtëroi disa nga tumat monumentale me përmasa të mëdha, por edhe i ripërdori ato si varreza. Si argument bindës shërbejnë në rastin konkret shumë toponime qe përdoren edhe aktualisht, sikurse janë: “Tuma e Shën Thanasit” në Rehovë, “Shën e Premtes” Prodan, “Konizmat” Luaras, “Bregu i Manastirit” Qytezë, “Kisha e Kuqe” Lënckë etj.
Të dhënat e kulturës materiale e shpirtërore, të zbuluara në Tumën e Rehovës në Kolonjë, së bashku me ato të Tumës së Piskovës në Përmet e të Dukatit në Vlorë, kanë shërbyer si argument bindës, për të provuar praninë e një “varianti jugor” të Kulturës arbërore, e konstatuar më parë me gërmimet në Kalanë e Pogradecit dhe vitet e fundit në Rëmbec të Pellgut të Korçës.
Ashtu si të gjitha krahinat e Shqipërisë nga veriu në jug, e kanë marrë emrin nga një qytet antik (Shkodra, Durrësi etj.), duhet të përmendim si shembull konkret, emrin e krahinës së Devollit në Shqipërinë Juglindore. Gjeografi A. Ptolemeu, i shek. të II m. es. Shkruan krahas qytetit Albanopolis edhe për një qytet tjetër me emrin Diabolia, që ndodhet sipas tij në territorin e eordejve, një fis ilir, pranë lumit Eordai (Devolli i sotëm). Ky qytet antik i ka dhënë emrin krahinës dhe lumit, që përdoren edhe sot. Kështu mendojmë se ka ndodhur edhe për Krahinën e Kolonjës.
Të dhënat e burimeve të shkruara greko-romake, së bashku me të dhënat arkeologjike provojnë se territoret e Shqipërisë Juglindore, në rrjedhën e sipërme të lumenjve Osum (Aps) e Devoll (Eordai), banoheshin nga fiset ilire të Desaretëve. Brenda territorit të Dasaretisë antike, ku përfshihej pellgu i Korçës, pllaja e Kolonjës dhe zona e Liqeneve Ohër e Prespë, u krijua në fund të shek. V p.es Shteti i Parë Ilir me kryeqendër Pelionin. Gjatë luftërave iliro-maqedone, mësojmë se sipas marrëveshjes të vitit 423, vajza e mbretit Ilir, Syrras, Euridika, u martua me mbretin Amynta II të Maqedonisë, që njëri nga tre djemtë e saj, ishte Filipi i II, ati i Aleksandrit të Madh. Gjatë luftërave iliro-romake dhe romako-maqedone, sipas këtyre burimeve mësojmë emrat e shumë qyteteve, midis të cilëve: Bantian e kaloikenëve dhe Orgesën e pisantinëve, që duhet t’i kërkojmë brenda pllajës së Kolonjës. Ky qytet zinte një pozitë kyçe e mbizotëruese brenda pllajës së Kolonjës, me përmasa 15 Km. Veri-Jug dhe 7 km Lindje-Perëndim. Këtu kryqëzoheshin rrugët që kalonin nëpër Osum, që arrinin pranë Kalasë së Gradecit në Bejkovë dhe përmes Qafës së Kazanit, kalonin në Maqedoni.
Rruga tjetër, që shkëputej nga lumi Vjosa në Petran të Përmetit, kalonte nëpër Langarice, Grykat e Barmashit, Qafën e Qarrit drejt Pellgut të Korçës e më gjerë. Në këtë rrugë ka kaluar ushtria romake, e drejtuar nga Konsulli Sulpici në vitin 198 p. es., i cili vendosi kampin në Lynk pranë lumit Bevo. Këtu, siç shkruan Tit-Livi “Nuk i harxhoi zahiretë e dimrit se hambarët e Dasaretisë ishin plot me drithë (LIVI, XXX 1,6,3).
EMRI I KOLONJËS
Pllaja e Kolonjës ka pasur një jetë intensive para qytetare, që është provuar arkeologjikisht me gërmimet në varrezën e Borovës (1980), me materiale të datuara në shek. VII – V p.es., me gërmimet në Kalanë e Hollmit (1967) dhe sondazhet në Kalanë e Gradecit në Bejkovë e të Gradishtës në Barmash, përmes së cilave janë zbuluar qeramikë, armë, stoli vegla pune, monedha bronzi e argjendi, të datuara përgjithësisht në periudhën qytetare ilire (shek. IV-II p.es.) Nga sa prezantuam, rezulton që qyteti Kolonjë e ka zanafillën që në periudhën qytetare ilire. Etimologjia e emrit Kolonjë është menduar se lidhet me vendosjen e kolonëve romakë në shek. II-III të e.re. Kësaj periudhe i përket edhe një kala e tipit “Kastro-Romano” e zbuluar brenda mureve të kalasë së Hollmit.
Ndryshe mendon Fr. Pouqueville, konsulli francez pranë Ali Pashë Tepelenës, që ka vizituar Kolonjën, në vitin 1806. Ndër të tjera, ai shkruan: “Në lashtësi përdorej rëndom Kollonjat, që ndoshta është shumësi i emrit Kollonë, pra emri Kollonjat, është më i afërt me Kollonë sesa me Kolonë”. Pouqueville interpreton gjithashtu edhe një medaljon të Atllasit Numizmatik të Rigasit, që sipas tij nuk duhet lexuar “Auloniatan” por “Koloniatan”, që do të thotë “e kolonjarëve”.
Megjithatë, gjithçka prezantuam nuk na mundësojnë për të përcaktuar vendndodhjen e qytetit. Përpjekjet janë bërë që herrët. Në një studim të botuar për vendfortifikimet e rrethit Kolonjë thuhet se ky qytet zinte një pozitë mbizotëruese, ndaj dhe vendndodhja e tij duhet të jetë brenda rrënojave të Kalasë së Gradecit në Bejkovë dhe jo në Gradishtën e Barmashit, ndonëse atje është gjetur gjatë sondazheve (1984) një monedhë e Leonit VI, (886 – 912). Ndryshe ka rezultuar gjatë sondazhit në Kalanë e Gradecit në Bejkovë. Brenda linjës së mureve të kësaj kalaje të ndërtuar me blloqe gurësh pa lidhje llaçi, të Bronzit të Vonë ruan mbi sipërfaqe edhe linjat e mureve të ndërtuara me lidhje llaçi të Antikitetit të Vonë (700 m gjatësi), si dhe një hyrje e një Kulle vrojtuese. Mbi këtë mur, u zbulua një trakt muri tjetër, rreth 4m i gjatë, me gurë të lidhur me baltë, i cili është datuar përmes gjetjeve, në Mesjetën e Hershme në shek.(IX-XI). Gjithashtu, të dy tarracat që gjenden në këtë kala, janë të mjaftueshme për një qytet mesjetar. Mbi sipërfaqen e tyre dallohen traktet e mureve të banesave, si dhe gurët e një sterë, e cila ka shërbyer për grumbullimin e ujit të pijshëm në kohë reshjesh. Përmes kontrolleve ndër vite, në kalanë e Gradecit Bejkovë, janë gjetur disa stampa mbi buzë pitosash (hambarë drithi), njëra nga të cilët me emrin TRITO, që është konkretisht pronari i punishtes, e cila ashtu si stampa mbi buzë pitosi e gjetur në kalanë e Kamnikut, mban emrin AMYNTA, që në të gjitha rastet janë emrat e pronarëve të punishteve ilire, të provuar kudo, janë zbuluar Brenda vendit tonë.
Në kalanë e Gradecit janë gjetur herë-pashere, mbi sipërfaqe mjaft monedha, prerje të kohëve të ndryshme. Nga ky grup vlen të përmendim: – Një monedhë e Ambrakisë, shek. III-II P.es; një monedhë e Antigon Gonatit, shek. III p.es; një monedhë e Filipit të II, (359-336); një monedhë e Filipit të V, (268- 165); një monedhë e Bylisit (268-168); një monedhë Perandorake Romake e shek. IV es., si dhe një monedhë Veneciane, të cilat provojnë së bashku vijimësinë e jetës në këtë qytet, nga Antikiteti Ilir deri në Mesjetën e Hershme.
Mendimi për ekzistencën e një qyteti antik ilir në Kolonjë përforcohet edhe me zbulimin e një thesari me monedha të Eginës, i cili është zbuluar rastësisht nga fshatarët në vitin 1990, në një kodër fleshore, vetëm 200 m pranë kalasë së Hollmit. Ena prej bronzi import, që datohet në shekullin e IV p.es, e cila u zbulua rastësisht, gjatë punimeve me Skrep, mund të merrte rreth 3000 copë monedha por Muzeu Historik i Ersekës dhe Instituti Arkeologjik, mundën të grumbullonin nga fshatarët rreth 400 copë monedha argjendi, të gjitha prerje të qytetit të Eginës, të cilat i ka studiuar e botuar Sh. Gjongecaj – H. Nicolet- Pierre, BCH 119, 1995.
Dyndjet avaro – sllave e sllavo – bullgare kanë lënë gjurmë në toponimi, por nuk kanë krijuar në asnjë rast “sllavini”. Disa mikro-toponime, që ruhen edhe sot në krahinën e Kolonjës, siç janë Gradec në Bejkovë, Gradishtë në Barmash, Gradec në Vrëpckë, Leskovik, kanë rrënjën “Grad”, që do të thotë qytet. Të njëjtën gjë duhet të themi dhe për toponimet: – sikurse është rasti i emrit “fshati i bullgarëve”, që emërtohet: – Një tarracë e cila gjendet përfund kalasë së Gradecit Bejkovë, që do të thotë se bashkësitë sllave që u dyndën, ose u larguan, siç thuhet nga Perandorët Bizantinë ose u asimiluan nga vendasit.
Një dukuri tjetër me shumë interes, që lidhet me dyndjet avare në fillim të shek. VII, është një legjendë që ka të bëjë me një thesar që është zbuluar në fshatin Lëngëz. Sipas kujtimeve që ka mbledhur poeti e shkrimtari i mirënjohur Dh. Qiriazi, njëkohësisht përkthyes i “Gjeneologjisë të Gjon Muzakës të vitit 1510”. që tregohet edhe nga banorët e sotëm të fshatit Lëngëz: – Një fshatar me emrin Risto, sipas kësaj legjende, ka gjetur në vendin e quajtur “Gorica e nënë Madhes”, në periferi të fshatit Lëngëz, vetëm 30 minuta nga kalaja e Gradecit, një thesar në një kusi ose dorje bakri, plot me stoli (jo monedha). Ai ka ikur bashkë me familjen e tij në Sllovë të Maqedonisë, rreth viteve (1890 – 1895), për t’ju shmangur autoriteteve qeverisëse dhe koleksionistëve. Ky Risto, shkruan Dhori, me Josifin, stërgjyshin tim, ishin djem xhaxhallarësh. Në vitin 1905, i biri i Ristos, Kristua ka ardhur në fshat dhe i ka shitur shtëpinë një të afërmit të tij Jani Rupit, për 2000 grosh, për të cilin ruhet një “kontratë shitje”, që mban datën 10 nëntor 1905, të cilën e ruante një bashkëfshatar nga Lëngëzi, Sotir Stefanllari, që kam pasur rastin ta fotokopioj dhe e ruaj këtë dokument.
Nëse kjo legjendë, rezulton e vërtetë, sipas bindjeve të Dhorit dhe nëse përputhet me prezantimin për krahasim, që ka dhënë Joahim Verner (Mynih), për thesarin e Maqedonisë si dhe raportet në lidhje me thesarin Avar të Vrapit, (Konferenca Kombëtare e Formimit të Popullit Shqiptar dhe Gjuhës Shqipe, Tiranë 1988, f. 427 – 436), kjo do të merrte vlera Pan Europiane. Në mbyllje të këtij prezantimi, dua të theksoj edhe një here se, thesari i zbuluar në fshatin Lëngëz të Kolonjës, pranë Kalasë së Gradecit, do të përbënte “Një thesar avar” të dytë në raport me “Thesarin e Vrapit”, i cili meriton të hulumtohet e të trajtohet hollësisht në të ardhmen.
Dëshiroj të ndaj me lexuesit me këtë rast, disa nga porositë që më jepte prof. Skënder Anamali, një nga katër themeluesit e Arkeologjisë Shqiptare, i mirënjohur ndërkombëtarisht, gjatë veprimtarive të ndryshme shkencore, apo konsultat gjatë gërmimeve në terren. “Kur të dalim në pension, unë do të merrem me identifikimin e qytetit të Devollit dhe ti me qytetin e Kolonjës”. Le të shpresojmë që kjo mund të shërbejë si një apel, që të nxitë ndonjë nga arkeologët e rinj, për t’u marrë me identifikimin e këtyre dy qyteteve mesjetare, për të rritur edhe më shumë vlerat e Shqipërisë Juglindore.