
Komisioni Evropian: – Komisionet ndërqeveritare të integrimit me Shqipërinë jane ngrirë për shkak të zgjedhjeve.
27 Mars 2025
Gazetari Enton Abilekaj, i ftuar në një emision televiziv, ka folur mbi procesin zgjedhor dhe fushatën e Edi Ramës, duke e akuzuar kryeministrin se po përgatitet për të manipuluar zgjedhjet e 11 majit.
Abilekaj theksoi se Shqipëria nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke vënë në pikëpyetje skenarët që parashikojnë integrimin në BE deri në vitin 2027, nëse proceset zgjedhore vazhdojnë të deformohen.
“Javën e kaluar, Komisioni Evropian vendosi të mos publikojë raportin e progresit për Shqipërinë deri në qershor. Gjithashtu, u anuluan dy takime me komisionet ndërqeveritare të integrimit, çka tregon se çdo proces me Shqipërinë është ngrirë për shkak të zgjedhjeve. Shqipëria mund të anëtarësohet në BE vetëm nëse zhvillon zgjedhje të lira dhe të ndershme. Deri më sot, ai që i ka prishur zgjedhjet ka qenë Edi Rama”, deklaroi Abilekaj.
Ai përmendi gjithashtu monitorimin ndërkombëtar të zgjedhjeve, duke vlerësuar rolin e OSBE-së dhe delegacionit italian si më serioz se në rastet e mëparshme.
“Nëse zgjedhjet janë të manipuluara, Shqipëria nuk do të hyjë në BE në vitin 2027, pavarësisht çfarë thuhet,” përfundoi Abilekaj.