Komisioni i Posaçëm anti-korrupsion i propozuar nga Partia Socialiste, për momentin ndodhet në udhëkryq, për sa kohë që opozita ka refuzuar të jetë pjesë e tij. Partia Demokratike zyrtare përmes Sekretarit për Marrëdhëniet me Publikun, Edvin Kulluri shprehet se ka një dyshim që mund të ketë një bashkëpunim të Ramës me Rithemelimin për rezolutën antikorrupsion të PS-së.

Por pavarësisht këtyre akuzave, socialistët nuk kanë humbur kohë dhe kanë nisur punën për të bërë realitet nismën e tyre. Gazeta “SOT” ka siguruar projekt-vendimin. Konkretisht në dokument thuhet se Komisioni i Posaçëm anti-korrupsion do të ketë 11 anëtarë, me një afat fillestar 10 mujor dhe sipas projektvendimit të publikuar një ditë para votimit në seancë plenare, anëtarët do të jenë kryetarët dhe zv kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian, ndërsa siç burime për gazetën “SOT” pohojnë, kryetari i këtij komisioni pritet të jetë Fatmir Xhafaj. “Me qëllim ruajtjen konform rregullores të raportit shumicë – pakicë, shfrytëzimin efektiv të përvojës së krijuar qysh në fillesat e Reformës në Drejtësi, si dhe sigurimin e vazhdimësisë së punës e të produkteve të këtij procesi përtej legjislaturës aktuale dhe përgjatë harkut të negociatave me Bashkimin Evropian, komisioni si rregull do të përbëhet nga Kryetarë dhe Zëvendëskryetarë të Komisioneve të Përhershme: për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut (2); për Ekonominë dhe Financat (2); për Çështjet Evropiane (2); për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik (2); dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian (2).Emrat e anëtarëve të tij do të përcaktohen me vendim të Kuvendit”, thuhet në pr/vendim.

Në bazë të këtij pr/vendimi anëtarët e këtij komisioni janë

1.      Klotilda Bushka – Kryetare (PS), Dhurata Çupi (Tyli) – Zëvendëskryetare (PD) – Nga Komisioni i Ligjeve;

2.      Jorida Tabaku – Kryetare (PD), Etilda Gjonaj – Zëvendëskryetare (PS) – Nga Komisioni i Ekonomisë;

3.      Flutura Açka – Kryetare (PD), Evis Kushi- Zëvendëskryetare (PS), – Nga Komisioni i Edukimit;

4.      Eduard Shalsi – Kryetar (PS), Sorina Koti – Zëvendëskryetare (PD) – Nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat;

5. Këshilli i Integrimit Evropian: Jorida Tabaku dhe Toni Gogu.

Ndërkohë Kryetari i komisionit është përfaqësues i shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i pakicës parlamentare.

Pjesëmarrëse dhe qeveria

Këshilli i Ministrave mund të përfaqësohet në veprimtaritë e Komisionit me pjesëmarrjen e ministrit të shtetit dhe (1) Kryenegociator, për (2) Marrëdhëniet me Parlamentin, për (3) Antikorrupsionin dhe Administratën Publike dhe për (4) Pushtetin Vendor, të cilët do të mund të japin opinionet e tyre për çështje të caktuara, si edhe të kontribuojnë përmes ekspertëve të tyre.

Objektivi

Komisioni do zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10 mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit. Komisioni i Posaçëm ka për qëllim kryesor të tij të drejtojë e koordinojë një proces të thelluar reformimi, me synim:

1) përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet,

2) thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe

3) forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit, duke patur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian.

Në punën e komisionit, parashikohet të përfshihen edhe ndërkombëtarët. “Komisioni i Posaçëm për të garantuar një proces objektiv dhe në standardet më të mira ndërkombëtare dhe plotësisht në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian, fton ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, domosdoshmërisht të aleatëve tanë strategjike, si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në dokument.

Grup pune me ekspertë ndërkombëtarë

Pranë Komisionit të Posaçëm,është parashikuar të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medias, si edhe organizata të sipërmarrjes. “Grupi i ekspertëve do të organizohet në 3 nëngrupe që do të angazhohen për 3 fushat e objektit të veprimtarisë së këtij komisioni. Ekspertët do të angazhohen në funksion të temave përkatëse, që lidhen me fushat e tyre të veprimtarisë në procesin e kryerjes së analizës dhe hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit si dhe propozimin e masave përkatëse legjislative e institucionale”, thuhet në pr/vendim. Komisioni mund të ftojë për konsultime për çështje specifike edhe agjenci dhe ekspertë të tjerë vendas e ndërkombëtarë të mirënjohur në fushat përkatëse.

Seanca dëgjimore

Komisioni parashikon seanca dëgjimore me  qëllim konsultimi, tryeza pune dhe diskutime publike dhe me Agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, që kanë objekt të veprimtarisë së tyre luftën ndaj korrupsionit, administrimin e pasurisë publike, krimin ekonomik, parandalimin e pastrimit të parave, auditimin dhe inspektimin financiar, kontrollin e brendshëm, informalitetin apo mbikëqyrjen e tregut, regjistrimin e administrimin e pronës.

“Seanca dëgjimore me qëllim konsultimi, tryeza pune dhe diskutime publike lidhur me temat objekt pune të këtij komisioni me: i) Institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë;

ii) Institucionet e sistemit të drejtësisë;

iii) Institucionet publike të pavarura të krijuara nga Kuvendi;

iv) Agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, që kanë objekt të veprimtarisë së tyre luftën ndaj korrupsionit, administrimin e pasurisë publike, krimin ekonomik, parandalimin e pastrimit të parave, auditimin dhe inspektimin financiar, kontrollin e brendshëm, informalitetin apo mbikëqyrjen e tregut, regjistrimin e administrimin e pronës etj.;

v) Ekspertë të mirënjohur të fushave përkatëse; v) Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit; vi) Pedagogë e studentë; viii) Përfaqësues të organizatave të specializuara brenda e jashtë vendit”, thuhet në pr/vendim. Por teksa ka zëra se komisioni pritet të ngrihet në seancën plenare të së enjtes, me gatishmërinë e mazhorancës për ta shtyrë votimin nëse opozita kërkon kohë, kjo e fundit i mbylli dyert e bashkëpunimit, dhe përmes Gazment Bardhit ende pa u njohur me projekt-vendimin deklaroi se do ta bojkotojë.

Ndërkohë mësohet se rezoluta, pra dokumenti është i përditësuar nga mazhoranca socialiste qeverisëse, pasi është konsultuara me ndërkombëtarët. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Nga Rigels  SELIMAN