Komiteti Shqiptar i Helsinkit: – Tubimet janë të lejuara me ligj. Qeveria të ndryshojë aktin normativ

13/05/2020

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar sot për ndalimin e protestave dhe tubimeve qytetare gjatë pandemisë. Në një deklaratë për mediat, KSHH shprehet se e drejta e protestës është e garantuar me ligj dhe nuk ka asnjë arsye për ndalimin e tyre, nëse respektohen masat për frenimin e pandemisë.

KSHH thotë se nuk ka asnjë arsye ligjore ndalimi i tubimeve qytetare. “KShH mendon se, edhe në situatën e pandemisë që po kalojmë, tubimet (veç rasteve të parashikuarë në ligj), nuk duhet të kufizohen dhe aq më tepër të ndalohet ushtrimi i kësaj të drejtë. Kjo nuk do të thotë të mos respektohen masat përkatëse kufizuese, siç janë distancimi fizik i protestuesve, përdorimi i mjeteve mbrojtëse prej tyre, etj”,- thuhet në reagim.

Komiteti i Helsinkit argumenton se qeveria duhet të rishikojë aktin normativ kundër lirive dhe të drejtave të njeriut.

Në vlerësimin e KShH-së, ka vend të rishikohet formulimi në aktin normativ nr.3, të datës 15.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, miratuar me ligjin nr. 24/2020. Në këtë dispozitë parashikohet se subjektet apo individët që organizojnë zhvillimin e aktiviteteve publike dhe jopublike, si aktivitete sportive, kulturore dhe konferenca, apo grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura, si koncerte, tubime dhe dëgjesa publike, dënohen me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë për organizatorët dhe ndalimin e aktivitetit. KShH vëren se bazuar edhe në praktikat e vendeve të tjera demokratike të Evropës, ku janë lejuar tubimet që respektojnë distancimin fizik dhe me masa mbrojtjese, kjo dispozitë vlen të rishikohet për të evituar interpretimet e ndryshme dhe subjektive dhe për të garantuar të drejtën themelore të tubimit dhe lirinë e organizimit ndaj çdo qytetari që respekton masat mbrojtëse”,- thuhet në reagimin e Komiteti Shqiptar të Helsinkit.

Më 9 maj policia shpërndau me dhunë dhe arrestoi protestuesit që dolën në sheshin “Skënderbej” kundër masave bllokuese dhe për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Gazeta Koha e Jone