Kompania e vëllait të Veliajt regjistron miliona euro xhiro dhe fitime
25 Maji 2024
Prokuroria e Posaçme është duke verifikuar pasurinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe familjarëve të afërm të tij.
Në një dokumentet e publikuara në media konfirmohet kërkesa që prokurori i SPAK, Ols Dado u ka drejtuar të gjitha bankave të nivelit të dytë në Shqipëri, që të japin informacion për pasurinë e kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes se tij, Ajola Xoxa, vëllait, Arbër Veliajt dhe nënës së tij, Shqiponjë Veliaj.
Po pse u përfshi në hetime kompania e Arbër Veliajt?
Ironik është fakti se ky biznes “mbijetese” në fushën e reklamave i kompanisë “Gogel” për Arbërin nisi me fitim modest dhe më pas u fry disa herë.
Nga “Open Corporates”, një faqe serioze e mbështetur dhe e financuar nga donatorë të huaj që ka të dhëna për kompanitë private, janë publikuar së fundmi në media edhe të dhëna mbi kompaninë e Arbër Veliajt.
Kompania “Gogel”, e cila është themeluar në vitin 2009, blihet nga Arbër Veliaj në vitin 2011 dhe nga viti 2011 deri në vitin 2015, kur Erion Veliaj ende nuk ishte zgjedhur kryebashkiak i Tiranës, fitimet e kësaj kompanie dhe xhiroja vërehen se janë shumë të vogla.
Sipas të dhënave të “Opens Corporates”, fitimi para tatimit në vitin 2009 ka qenë mbi 10 milionë lekë të vjetra (1 milion lekë të rinj), në vitin 2011 ka qenë po 10 milionë lekë dhe në vitin 2015 fitimi 6-fishohet.
Në vitin 2016 është diku te 40 milionë lekë dhe pastaj shkon në 100 milionë lekë, në 410 milionë lekë, në rreth 440 milionë, në mbi 520 milionë, në 300 milionë dhe në 2022-shin që është e dhëna e fundit është diku te 250 milionë.
Duke mbledhur të dhënat rezulton se Arbër Veliaj, para tatimit nga viti 2015, kur vëllai i tij Erion Veliajt është bërë kryetar bashkie deri në vitin 2022 ka të deklaruara 2.1 miliardë lekë, vetëm fitim.
Duke iu referuar tabelës nga të dhënat e “Open Corporates” mbi xhiron vjetore të kompanisë “Gogel”, e cila ka 100% aksioner kompaninë “Gogel Holding”, me pronar Arbër Veliajn, rezulton se kompania nga viti 2015, që drejtimin e Bashkisë së Tiranës e merr Erion Veliaj, fillon të shtojë xhiron deri në disa fish më shumë.
Në qoftë se në vitin 2014 qarkullonte vetëm 240 milionë lekë të vjetër, në vitin 2018 kompania arrin të qarkullojë gati 3.3 miliardë lekë. Të njëjtin qarkullim ka edhe në vitin 2020, por shkon rreth 3.4 miliardë lekë.
Xhiroja e kësaj kompanie shkon në disa dhjetëra miliona euro në total nga viti 2015 e në vazhdim, por ajo që bie në sy duke krahasuar xhiron e kompanisë me fitimin ka të bëjë me faktin se në vitet kur kompania kishte më pak xhiro, në vitin 2015, fitimi ishte edhe më i madh, por fitimi i saj, edhe pse xhiroja është rritur dhe të ardhurat janë të larta, ulet në rreth 7% në vitin 2022, por duhet të kemi parasysh që janë 7, 10 apo 15% fitim në 4-5 vitet e fundit, të cilat janë fitim mbi një xhiro 3.2 – 3.4 miliardë lekë.
Kështu, një kompani me 50 milionë, pasi vëllai bëhet kryebashkiak, ka performancë të re dhe bën xhiro 3.4 miliardë lekë, një kompani që ka fitim vetëm 10 milionë lekë shkon dhe regjistron fitim edhe 520 milionë lekë dhe kjo është kompania “Gogel” e Arbër Veliajt.
HETIMI I SPAK
Në shkresën e SPAK thuhet se “Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka regjistruar procedim penal”.
Nuk është e qartë nëse ky procedim penal ka nisur drejtpërdrejt me emrin e Erion Veliajt, apo ai po hetohet si pjesë e dosjes së inceneratorëve.
Në kërkesën e SPAK për bankat, kërkohet që të vendoset në dispozicion çdo informacion që lidhet me veprimet bankare dhe transaksionet financiare të kryera brenda dhe jashtë vendit për personat e cituar më lart.
Gjithashtu SPAK ka kërkuar informacion edhe nëse këta persona kanë marrë kredi si dhe historiku i shlyerjes së saj. Erion Veliaj u pyet më 30 prill për më shumë se 8 orë në SPAK për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Nga OraNews