31 Maji 2024

Siguria ushqimore në vend konsiderohet si element bazë për çdo familje në vend.

Por KLSH zbulon një tjetër skandal, pasi kompania “Kosmonte Foods”, që furnizon me ushqim pothuajse 90 për qind të tregut shqiptar, nuk dihet se ku i ka “zhdukur” ushqimet e destinuara për groposje.

Sipas auditit të ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit rezulton se tonelata ushqime të skaduara të kësaj kompanie që duhej të ishin groposur në landfill, nuk dihet se ku kanë përfunduar, duke lënë të hapur mundësinë e rifutjes në treg.

Më konkretisht, në disa raste nuk dokumentohet me foto ngarkimi dhe dërgimi i produkteve të skaduara në landfillin e Sharrës.

Njëkohësisht, nuk dokumentohet fletë-dalja e ushqimeve nga magazina e subjektit “Kosmonte Foods” e firmosur nga magazinieri i saj, si dhe ndryshimi i llogarisë së inventarit në pasqyrën financiare të aktiveve.

Ky krim ushqimor ka ndodhur në sytë inspektorëve të AKU-t, të cilët nuk shohin as kontrollin e KLSH-së.

Televizioni “Ora News” i është drejtuar “Kosmonte Foods” me një kërkesë për informacion se ku kanë përfunduar ushqimet e skaduara, por kjo kompani ka refuzuar të na përgjigjet.

Duke qenë se vihet në pikëpyetje siguria konsumatore, kemi shkuar në ambientet e subjektit, ku fillimisht na u tha se mund të kontaktojmë me një përfaqësues, por pas një telefonate  askush nuk pranoi të dilte për të na sqaruar

AKU mbyll sytë para shkeljeve, ndërsa “Kosmonte Foods”, me  administrator z. Lulzim Begaj, mbyll gojën para medias dhe qytetarëve, të cilët nuk janë të sigurt se çfarë po konsumojnë.

Duke u nisur nga fakti se ky subjekt nuk i ktheu asnjë përgjigje kërkesës tonë për informacion, në emër të konsumatorëve po i drejtojmë disa pyetje publike administratorit të kompanisë?

Z. Begaj ku ka përfunduar ushqimi i destinuar për groposje?

A i keni ndryshuar datën e skadencës dhe keni rifutur në treg?

Mos ndoshta e dhuroni për bamirësi?

Mijëra konsumatorë ju kanë besuar shëndetin, dhe minimumi që mund të bëni është një sqarim.

Më herët TV “Ora News” ka denoncuar një tjetër shkelje të kësaj kompanie, e cila kishte futur në vend 45 ton yndyrë vegjetale, duke e shitur për gjalp.

Nga Alketa Çeku