Kompania “MANE/S shpk” ka shkelur rregullat e restaurimit. –
Kompania “MANE/S shpk” ka shkelur rregullat e restaurimit. –
Kompania “MANE/S shpk” ka shkelur rregullat që duhet të zbatojë restauratori gjatë restaurimit të Kishës së Apostujve në Hoshtevë dhe sipas nenit 23, paragrafi 1, pika c të kësaj rregulloreje i duhet hequr liçensa.
Në bazë të rregullores “Mbi Kriteret dhe procedurat administrative për marrjen e liçensave të ushtrimit të profesionit të restauratorit”, miratuar nga Ministria e Kulturës dhe ministrja Mirela Kumbaro me vendimin nr. 75, datë 3 Prill 2015, mbështetur mbi ligjin 9048, datë 7 Prill 2003, Kompania “MANE/S shpk” gjatë punës për restaurimin e Kishës së Apostujve në Hoshtevë ka shkelur rregullat që duhet të ndjekë gjatë kësaj veprimtarie.
Sipas asaj çfarë parashikon neni 7, pika c, e kësaj rregulloreje: “Ç’do shoqëri e liçensuar nuk duhet të ushtrojë asnjë veprimtari në mungesë të Drejtuesit teknik restaurator”.
Por sipas banorëve të Hoshtevës, të cilët janë dëshmitarë gjatë kryerjes së punimeve nga ana e kompanisë “MANE/S shpk”, në pjesën më të madhe të kohës në monument ndodhen vetëm punëtorët e firmës, të cilët kryejnë punimet e restaurimit pa praninë e drejtuesit teknik.
Këto punime, të kryera në një pjesë të mirë të kohës pa praninë e drejtuesit teknik të liçensuar, i kanë sjellë dëmtime të pariparueshme këtij Monumenti Kulture të Kategorisë së parë. Kanë çmontuar krejt hajatin e Kishës, duke i humbur vlerat e ndërtimit origjinal, e duke e kthyer në një monument pjesërisht të rindërtuar.
Gjithashtu, banorët shprehen se gjatë punimeve, në mënyrë të papërgjegjshme janë zbuluar disa varre të vjetra që ndodheshin në këtë monument.
Në nenin 23 të kësaj rregulloreje, për “Heqjen e liçensës apo Pezullimin e përkohshëm”, paragrafi 1, pika c citon: “Heqja e së drejtës për ushtrimin e aktivitetit apo pezullimi i përkohshëm bëhet me Vendim të KKR në rastet kur shoqëria e ndërtimit kryen veprimtari restauruese pa praninë e drejtuesit teknik”.
Rasti është flagrant dhe ministrja Kumbaro duhet të zbatojë menjëherë rregulloren e miratuar nga vet ajo, nqs nuk do të bëhet pjesë e këtij krimi.
Kisha e Apostujve në Hoshtevë është një monument me vlera unikale. Prandaj ai kërkon që ndërhyrjet restauruese të behen nga restauratorë me eksperiencë, të cilët do të mund të ruajnë këto vlera, pa u cënuar e pa u tjetërsuar.