Kompania SHELL deklaron se nuk ka naftë në horizont. – Rama fushatë me puse nafte imagjinare për të sfumuar “gropën e korrupsionit”
24 Gusht 2023
Kryeministri Edi Rama si mjeshtri i propagandës i është rikthyer dje fushtës me puse nafte imagjinare për të sfumuar “gropën e korrupsionit”. Kryeministri Rama ka gati dhjetë vite që çdo pragvjeshte jep lajmin: “Naftë në Shpirag”. Shkon në Shpirag, vishet si naftëtar, poston foto në rrjetet sociale, mban konferenca. Këtë gjë ka bërë edhe këtë vit, ka shkuar në puset e naftës vetë, më pas erdhi në Tiranë dhe doli në konferencë shtypi ku deklaroi.
“Nafta e zbuluar në Shpirag është një naftë e të njëjtës cilësi është e njëjtë me atë Premium të Arabisë Saudite. Investimi i parashikuar dhe projekti që do të realizohet nga kompania nis me 3 miliardë euro dhe projeksioni është që deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme, është 7 miliardë euro investim në vendin tonë. Që parashikon ndërtimin e infrastrukturës dhe depozitimin e rezervës, ndarjen në gaz, naftë dhe sulfur dhe kjo e treta ka një rendësi të veçantë”, deklaroi dje gjatë një konfercne për shtyp. Por kjo deklaretë e Ramës është absurde, pasi sic i thonë një fjale të urtë popullor: “I zoti s’e jep, tellalli e jep!”.
Rama spekulon në disa raste për këtë: Investimi është një gjë shumë e mirë për Shqipërinë që po bëhet nga një kompani private serioze si SHELL; SHELL është një nga kompanitë më serioze në fushën e kërkimit të naftës, por në asnjë rast përfaqësues të saj nuk i janë bashkëngjitur kryeministrit Rama në deklaratat kur bën tellallin se ka gjetur naftë në Shpirag; Rama, siç citohet më lart thotë, nafta është gjetur (këtë uron çdo shqiptar) dhe është e cilësisë së njëjtë me atë të Arabisë Saudite. Gjë të cilën kompania SHELL nuk e konfirmon. Në rast se rezultati që thotë Rama do ishte ky, interesi më i lartë është i kompanisë SHELL të dalë të japë lajmin, pasi çdo lajm i tillë pozitiv kompanisë i rrit kuotat në Bursë. Deri tani SHELL nuk ka publikuar asgjë në webin e saj www.shell.al dhe as ka marrë pjesë në delirimin publik të Edi Ramës që flet si Enver Hoxha në vitet ‘60-‘70-të që dinte me përpikmëri ku kishte e ku nuk kishte naftë nëpër Shqipëri.
Reagon SHELL
Kështu që nisur nga kjo, një media ka kontaktuar dje përgjegjësen e zyrës së medias pranë kompanisë SHELL për të marrë një prononcim prej tyre. Përgjigja është tepër korrekte dhe nuk përmban aspak brenda saj doza megalomanie siç shohim në fjalët e kryeministrit Rama, i cili bën tellallin. Përgjegjësja e komunikimit në përgjigjen e saj thotë: “Ne deri tani kemi kryer fazën e shpimit dhe po përgatitemi për fazën e vlerësimit apo testimit. Do të duhen disa muaj që të kemi të dhëna për të përcaktuar pastaj faza e tjera.”
Halli i Ramës
Pra siç shihet nuk ka asnjë fjalë se nafta doli, doli me cilësi si e Arabisë Saudite… Por thjeshtë puna vijon fazë pas faze. Çfarë halli ka Edi Rama që spekulon me një emër kaq të madh sa SHELL? Përgjigja është e thjeshtë; Rama po përdor sondat e SHELL për të zhytur mijëra metra nën Malin e Shpiragut skandalet korruptive dhe kriminale të inceneratorëve, sterilizimin, vjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS, aferën me McGonigal etj, etj. Nga ana tjetër, kryeministria Edi Rama është nervozuar me gazetarët teksa po mbante një konferencë për mediat. Kreu i qeverisë u kërkoi që të mos bëjnë asnjë pyetje jashtë temës së zbulimit të naftës në Shpirag. Por gazetarët i kërkuan shefit të qeverisë që të flasë për arrestimet për koncesionin e Sterilizimit, plehrat, raportin me Greqinë, etj. Kjo solli nervozizmin e tij. “Ju bëni sikur nuk kuptoni, apo çfarë bëni, ju thash, kjo konferencë nuk është për asgjë tjetër, vetëm për këtë zbulim historik. Jemi këtu që me ndihmën tuaj dhe pyetjet tuaja të mësojnë sa më shumë për këtë gjë. Këtë mund ta bëjë një parti politike, ju jeni këtu… Po ju them, shumë kollaj për pyetjen që keni, drejtohuni zyrës së komunikimit. Nuk ka asnjë problem, sot dua të fokusohem tek kjo gjë. Ju lutem pak etikë. Muhabet kot. Të lutem mos e vazhdo. Shpresoj që kjo të mos sjellë një protestë për lirinë e shtypit” , nënvizoi Rama.
Ja disa nga mashtrimet e Ramës ndër vite me zbulimin e naftës në Shqipëri
1. Naftë dhe gaz, Rama viziton zonën e hidrokarbureve Molisht-Shpirag në 18 shkurt të vitit 2014 dhe premton mrekullinë pas disa muajsh
2. Kryeministri Edi Rama në 23 janar 2019: Priten rezerva të mëdha nafte në Shpirag
3. Edi Rama në 24 janar 2019: Edhe pak javë nga prova për nxjerrjen e naftës në Shpirag
4. Rama në 24 maj 2019: Lajm fantastik për ekonominë e së nesërmes, që SHELL do të nxjerrë mijra fuçi nafte në Shpirag
5. Kryeministri Rama në 24 maj 2019: Nafta dhe gazi në Shpirag do të dalin në treg
6. Nafta në Shpirag, Rama deklaroi dje: Cilësia premium si ajo e Arabisë Saudite, do të ndryshojë ekonominë, investimi 3 deri në 7 mld euro
Gazeta Sot