Komuna e Prishtinës fton qytetarët të qëndrojnë në zona të sigurta, shkak shiu i dendur dhe permbytjet
24 Qershor 2024
Për shkak të shiut të rrëmbyeshëm, Komuna e Prishtinës iu ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në zona të sigurta.
Në një njoftim në Facebook, Komuna tha se ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca si dhe zjarrfikësit janë në terren duke u marrë me sanimin e gjendjes.
“Për shkak të shiut të rrëmbyeshëm që ka shkaktuar dëme në kryeqytet , ju lutemi qëndroni në shtëpi ose në zona të sigurta nëse jeni jashtë. Ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, si dhe zjarrfikësit, janë në terren duke punuar pa ndërprerje për të sanuar gjendjen. Për çdo problem, telefononi në numrat kujdestarë (pa pagesë) 080012233 dhe 080012244”, thuhet në njoftim.
Kompania “Prishtina Parking” ka njoftuar se nga ora 19:00 të gjitha pikat e parkingut në kryeqytet janë mbyllur për operim për shkak të vërshimeve.
“Që nga ora 19:00, të gjitha pikat e parkingut me laura janë të mbyllura për operim për shkak të rrebeshit të shiut që shkaktoi vërshime. N.P.L. Prishtina Parking është detyruar të mbyll pikat me qëllim të evitimit të incidenteve në punë për punonjësit e ndërmarrjes. Ju bëjmë thirrje për kujdes përgjatë parkimit në këtë kohë”, thuhet në njoftim.