Koncesionet përpijnë buxhetin për rrugët, rrezikohen projektet e nisura
Koncesionet përpijnë buxhetin për rrugët, rrezikohen projektet e nisura
15 nentor 2019
Qeveria e Shqipërisë në projektbuxhetin e vitit 2020 ka parashikuar të investojnë në infrastrukturën rrugore 4,7 miliardë lekë.
Ky është niveli më i ulët i dekadës për shkak se pjesa dërmuese e fondeve do të shkojnë për financimin e kontratave koncensionare si Rruga e Arbrit, Orikum -Dukat dhe incineratorët, ndërsa rrezikojnë të mbeten pa financime të mjaftueshme frontet e hapura të punëve në rrugën Kardhiq-Delvinë, Unazën e Re, BY PASS-in e Tepelenës dhe atë të Shkodrës.
Fondet janë devijuar për financimin e kontratave koncesionare, të cilat vitin që vjen parashikohet të arrijnë në 5.1 miliardë lekë ose 50 për qind më të larta se pritshmëria e këtij viti.
Buxheti i rrugëve për koncesionet në vitin 2020 në gati në 77 për qind të tij do të shkojë për financimin e rrugës së Arbrit.
Duke marrë në konsiderate edhe fondin e koncesioneve gjithsej investimet në infrastrukturën rrugore për vitin 2020 nga fondet e brendshme arrijnë në 9.8 miliardë lekë.
Në vitin 2018 u investuan rreth 15 miliardë leke fonde buxhetore nga burimet të brendshme.
Duke analizuar burimet totale buxhetore të cilat vijnë me ulje në tersi vihet në dyshim realizimi i objektivit të qeverisë për përfundimin në kohë të projekteve dhe gjithashtu krijohen premisa për detyrime të prapambetura.
Sipas Ministrisë së Financave aktualisht janë rreth 6 miliardë lekë ose rreth 50 milionë euro detyrime të prapambetura për infrastrukturën rrugore, të cilat rrezikojnë të rriten me planifikimet jo realiste të vitit 2020.
Gjatë vitit që vjen në buxhet janë planifikuar vetëm 570 milionë lekë financime në të gjitha lotët e Unazës së re, as 20 për qind të vlerës së saj ndërkohë që qeveria ka ende borxhe të pashlyera për punimet që janë realizuar tashmë tek mbikalimi.
Ndërkohë që fondet janë devijuar për financimin e kontratave koncensionare edhe parashikimet për to duket se janë difektoze, pasi qeveria pret të kryhen të gjitha punimet deri në vitin 2021 në aksin Milot-Balldren, ndërkohë që është parashikuar zero financim vitin që vjen.
Koncesionet në rrugë pritet të krijojnë një kolaps në buxhet për shkak se nevojat për financimin e tyre por rriten nga viti, ndërsa burimet buxhetore për financimin e tyre janë të pamjaftueshme.
Tabelën e projekteve dhe alokimit të fondeve mund ta shihni këtu: https://www.monitor.al/koncesionet-perpijne-buxhetin-per-rruget-rrezikohen-financimet-per-projektet-e-nisura/
j.l./ dita