4 Tetor 2023

Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar kërkesën e deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa sa i takon koncesionit të Butrintit. Në përfundim të seancës, Zhupa në një deklaratë për mediat u shpreh se është bërë presion ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit, që sic tha deputetja ka ndryshuar qëndrim, pas një komunikimi me ministrin Elva Margariti.

Sipas Zhupës, beteja në Kushtetuese do të vazhdojë, pasi i është dhënë afat deri më 6 tetor për të paraqitur listën e provave.

Zhupa garantoi se kjo betejë do të fitojë, pasi Gjykata Kushtetuese do jetë para provave të pakundërshtueshme sesi është cënuar kushtetuta e Shqipërisë.

“Jam kurioze të di llojet e presioneve që janë ndërmarrë ndaj KLSH, i cili sot ka humbur besueshmërinë si organ i pavarur, pasi ndryshe nga sa kishte sjellë në Gjykatën Kushtetuese një opinion që ishte kundër  ligjit dhe kërkonte rrëzimin e ligjit, pa ndryshuar asgjë KLSH ndryshoi qëndrim  sepse kështu ka marrë një komunikim me  Elva Margaritin. Komunikimi për mendimin tim nuk është asgjë më shumë sesa një kërcënim apo një rrugë tjetër jo ligjore që nuk ka të bëjë me thelbin e ligjit.

Unë jam e zhgënjyer si një institucion i pavarur bie në këto nivele që për të njëjtin ligj të ndryshoje qëndrim pa vënë në dijeni palët.

Ne do vazhdojmë gjykimin, kemi afat deri më 6 tetor për të paraqitur listën e provave, për të paraqitur pyetjet që i kemi dërguar palëve dhe të paraqesim përgjigjet me shkrim që sot ishin në konsultimin publik

Ajo që unë garantoj është se Butrinti do të fitojë, ne këtë betejë do ta fitojmë. GJK do jetë para provave të pakundërshtueshme sesi është cënuar kushtetuta e Shqipërisë, konventa e Parisit, karta e autonomisë vendore dhe si rrezikohet trashëgimia jonë me këtë koncesion famëkeq në Butrint”, tha Zhupa.

Gazeta Panorama