![](https://i0.wp.com/www.shqiperia.com/blog/wp-content/uploads/2025/02/Screenshot_1911.jpg?fit=613%2C353&ssl=1)
Konferenca e Sigurisë në Mynih/ Mesazhi i JD Vance: – Nuk mund të fitoni duke censuruar kundërshtarët, duke arrestuar oponentët tuaj apo liderin e opozitës!
15 Shkurt 2025
Liderë të rëndësishëm nga e gjithë bota janë mbledhur sot në Mynih të Gjermanisë në kuadër të Konferencës së Sigurisë.
Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, zëvendës presidenti amerikan JD Vance iu drejtua pjesëmarrësve dhe panelistëve duke u thënë se nuk mund të fitohet një mandat qeverisës duke censuruar kundërshtarët, apo duke i arrestuar ata.
Vance bëri thirrje për më shumë vepra se fjalë për vlerat demokratike.
Ai tha gjithashtu se “e djathta po sulmohet në të gjithë botën”.
“Ju nuk mund të fitoni një mandat qeverisës duke censuruar kundërshtarët, duke arrestuar oponentët tuaj apo liderin e opozitës….as duke paditur gazetarë që raportojnë lajme! Ne duhet të bëjmë më shumë në praktikë sesa vetëm të flasim për vlerat demokratike. Unë thellësisht besoj se nuk duhet të keni frikë nga zërat dhe opinionet alternative për atë sesi liderët po drejtojnë shtete të ndryshme evropiane. Fjala e lirë, kam frikë, se po censurohet”, tha zëvendës presidenti amerikan, duke ju drejtuar panelistëve dhe pjesëmarrësve në Konferencën mbi Sigurinë.
Rreth 60 krerë shtetesh dhe qeverish janë mbledhur në Mynih të Gjermanisë në një konferencë vjetore të sigurisë për të diskutuar konfliktet ndërkombëtare, sfidat gjeopolitike dhe marrëdhëniet transatlantike.
Konferenca e 61-të e Sigurisë në Mynih vjen në një kohë të rëndësishme pasi administrata e re e SHBA-së mori detyrën muajin e kaluar, e shoqëruar me një përbërje të parlamentit evropian dhe zgjedhjeve parlamentare gjermane që do të mbahen vetëm një javë pas konferencës.
Plani i paqes i presidentit amerikan, Donald Trump, për Ukrainën dhe situata në Lindjen e Mesme janë ndër çështjet kryesore që diskutohen në konferencë.