10 Shtator 2024

Nga Gazeta Panorama.

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi datën 7 shtatorin 1910, ditën kur lindi Aleks Buda. Mësimet e para, i nisi kur ishte 7 vjeç në shkollën fillore të qytetit të lindjes, në Elbasan. Pa kryer klasën e dytë i vijoi studimet në Leçe të Italisë.

Më 1920 bashkë me dy vëllezërit e tij shkon me studime në Austri. Atje plotësoi filloren dhe kreu më 1929 gjimnazin në Salzburg. Më tej ndoqi studimet në Universitetin e Vjenës, në Institutin Ballkanistik, në vitet 1930 – 1935 ku mori mësime nga profesorë të njohur, si Karl Paç, Reiniger dhe Norbert Jokl.

Gjatë kësaj periudhe u aktivizua në shoqninë e studentëve shqiptarë Albania të Vjenës, së bashku me Lasgush Poradecin, Skënder Luarasin, Eqrem Çabejn, Krist Malokun, Qemal Butkën etj., duke qenë edhe bashkëpunëtor i revistës “Dialëria” të kësaj shoqërie. Në vitin 1938 u kthye në Shqipëri. Punoi së pari, si arsimtar në Gjimnazin e Tiranës.

LËVIZJA

U lidh me lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe më 1944 zgjidhet nënkryetar i Këshillit ANÇl të qarkut të Elbasanit. Menjëherë pas Çlirimit të vendit punoi si drejtor i Bibliotekës Kombëtare ku kishte vetëm 15.000 vëllime. Atij i jepen në dorëzim librat e Mit’hat Frashërit. Biblioteka do të pasurohej, por kryesisht prej konfiskimit të bibliotekave private të personaliteteve të kohës, ndaj në 1947 fondi i numëronte 100.000 vëllime (1945–1946). Ne 1946 u bë një nga organizatorët e Institutit të Shkencave, ku punoi si përgjegjës i seksionit të historisë, sociologjisë dhe ekonomisë.

Aty ndihmoi në krijimin e sektorëve të arkeologjisë dhe të historisë së lashtë, të historisë së Mesjetës dhe të artit mesjetar, të historisë së kohës së re, të etnografisë etj. Së bashku me kolegët e sektorit të tij, bënë të mundur publikimin e studimeve e arritjeve në fushën e arkeologjisë e të etnografisë, që u ekspozuan në Muzeun Arkeologjik-Etnografik të përuruar më 1947. Fitoi përvojë si pedagog i historisë që në fillimet e Institutit Pedagogjik dyvjeçar (1946); më 1955 u bë një nga organizatorët dhe studiuesit më me përvojë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, i sapokrijuar. Me krijimin e Universitetit të Tiranës më 1957, A. Buda do të ishte një nga themeluesit e katedrës së historisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në këtë universitet.

Viti 1972 qe një vit i veçantë për jetën shkencore në Shqipëri, njëherazi edhe për Budën: U themelua Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Në mbledhjen e parë të asamblesë (1973), të çelur nga akademiku Eqrem Çabej, Aleks Buda zgjidhet kryetar i Akademisë, detyrë që e mbajti deri në fund të jetës, pasi u rizgjodh dy herë. Buda vdiq pas një sëmundjeje të rëndë, në Tiranë më 7 korrik 1993.

VEPRA

Veprimtaria kryesore e tij ishte studimi i historisë, veçanërisht në fushën e historisë mesjetare shqiptare dhe të Rilindjes Kombëtare. Ai është bashkautor dhe redaktor përgjegjës i tekstit të “Historisë së Shqipërisë. vëllimi I” dhe autor i disa studimeve për periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë, sidomos për atë të “Skënderbeut” për etnogjenezën e popullit shqiptar si dhe autor i shumë shkrimeve publicistike.

Buda ka shkruar edhe hyrjen 18-faqesh të botimit të veprës së Marin Barletit, “Rrethimi i Shkodrës”, e cila u përthye nga Henrik Lacaj dhe u botua në Tiranë në vitin 1962. Buda është bashkautor i vëllimit të dytë të “Historia e Shqipërisë”, botuar në vitin 1965. Në hartimin e Fjalorit enciklopedik shqiptar (1985), e para vepër enciklopedike shqiptare, ai dha ndihmesë të çmuar në konceptimin e udhëheqjen shkencore, ashtu edhe si kryeredaktor. Ka marrë një varg me tituj dhe dekorata: Mësues i Popullit, “Çmimin e Republikës të shkallës së parë”, “Urdhrin e Lirisë” të kl. I, etj., ndërsa Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar atë me “Medaljen e madhe të artë” (1990), medalja më e lartë që jep Austria për shtetasit e huaj. Këshilli i qarkut të Elbasanit e ka nderuar pas vdekjes (2002) me titullin “Qytetar Nderi”.