“Konflikti i mundshëm në Bosnjë, shkëndija që ndez gjithë Ballkanin”
“Konflikti i mundshëm në Bosnjë, shkëndija që ndez gjithë Ballkanin”
4 NËNTOR 2021
Ish-diplomati amerikan, David Phillips, kontribuues i lartë në proceset për çlirimin e Kosovës që nga viti 1989 dhe njohës i zhvillimeve në rajon, ka folur për kërcënimet që po vinë nga Bosnjë e Hercegovina për një konflikt të mundshëm, që do të çonte jo vetëm në ndarje të Bosnjës, por do të ndezte gjithë Ballkanin.
Në një intervistë për “Zeri.info”, Phillips, Drejtor i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, ka thënë se kërcënimet për ndarje të Bosnjës nga kreu i Republikës Serbe, Milorad Dodik, nuk janë diçka e re, ndërsa ka shtuar se këto kërcënime duhet të qortohen nga BE-ja dhe SHBA-ja.
I pyetur nëse konflikti i mundshëm në Bosnjë mund të ketë ndikim edhe në Kosovë, Phillipsi tha për “Zërin” se dhuna në Bosnjë mund të jetë shkëndija që ndez rajonin e Ballkanit Perëndimor, që është një kuti me plot çështje të pazgjidhura.
Intervista e plotë e David Phillipsit
Zëri: Kohët e fundit ka paralajmërim për rrezik nga një konflikt i mundshëm në Bosnjë dhe Hercegovinë sepse lideri i Republikës Serbe, Milorad Dodik, ka paralajmëruar ndarjen e Bosnjës dhe formimin e institucioneve paralele?
Phillips: Kërcënimet e Dodikut nuk janë të reja. Për vite të tëra Republika Serbe ka kërcënuar se do të ndajë Bosnjën duke krijuar institucione paralele. Ai duhet të qortohet publikisht nga zyrtarët amerikanë dhe evropianë dhe të kërcënohet me masa ndëshkuese nëse vazhdon të destabilizojë Bosnjën dhe rajonin si me fjalë, ashtu edhe me veprime.
Zëri: Sa realiste është që në Bosnjë dhe Hercegovinë të ketë një konflikt të ri dhe a duhet që BE-ja dhe SHBA-ja të intensifikojnë politikën e tyre ndaj këtij rajoni për ta çuar atë sa më shpejt drejt BE-së?
Phillips: Nuk ka zgjidhje ushtarake për shoqërinë e ndarë të Bosnjës. Anëtarësimi në BE nuk është një “e drejtë”. Është një “privilegj”. Sjellja e keqe nuk duhet të shpërblehet me stimuj të BE-së. Raporti mbi kandidaturën e Bosnjës nuk duhet të kursejë askënd dhe të numërojë shkeljet e Dodikut.
Zëri: A ekziston rreziku që një konflikt i mundshëm në Bosnjë dhe Hercegovinë të destabilizojë rajonin, veçanërisht Kosovën?
Phillips: Konflikti i dhunshëm në Bosnjë përfaqëson kulmin e planit të Millosheviqit për të krijuar një “Serbi të madhe” në të gjitha tokat ku serbët banojnë aktualisht ose ku ata kanë pretendime historike. Në vitet 1990 ne ishim dëshmitarë të rezultatit tragjik të politikave dhe agresionit të Millosheviqit. Dhuna në Bosnjë mund të jetë shkëndija që ndez rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili është një kuti me çështje të pazgjidhura.
Zëri: Udhëheqësit politikë të Serbisë, të cilët thuhet se ndihmohen nga Rusia, janë akuzuar në shumë raporte, sidomos kohët e fundit, për nxitjen e këtyre konflikteve. A mendoni se Serbia dhe liderët e saj fshihen pas këtyre kërcënimeve të Dodikut ndaj Bosnjë e Hercegovinës?
Phillips: Nuk ka gjë të tillë si solidariteti sllav ose vëllazëria ortodokse. Këto janë trillime të Moskës për të justifikuar agresionin e Rusisë. Rusia është e interesuar vetëm të kundërshtojë SHBA-në dhe të eksportojë modelin e saj autoritar të qeverisjes.
Zëri: A duhet dhe a është realiste të pritet që komuniteti ndërkombëtar në këtë kohë të rrisë praninë e tij në misionet paqeruajtëse të BE-së dhe NATO-s në BeH?
Phillips: Vendet perëndimore nuk mund të vendosin trupa kudo që ka një mosmarrëveshje. Epoka e ndërhyrjes ka përfunduar. Bosnja ka nevojë për një konferencë të re për të përmirësuar Kushtetutën e Dejtonit, duke garantuar ndarjen më efektive të pushtetit dhe duke margjinalizuar aktorët e këqij. Dejtoni i dha fund një lufte. Është koha për të siguruar paqen.
Zëri: Kur mund të thuhet se rajoni i Ballkanit Perëndimor është i lirë nga kërcënimet e konflikteve të reja? Çfarë duhet të ndodhë me shtetet e këtij rajoni për të arritur paqen e qëndrueshme?
Phillips: Aktorët e këqij dhe sponsorët e tyre duhet të sanksionohen dhe, nëse është e nevojshme, të shkojnë në burg për të parandaluar sjelljen e tyre përçarëse.
Gazeta Shqip