21 Janar 2024

… Prandaj Ahmet Zogu, me plot kuptimin e fjalës mbështetur në fakte të pakontestueshme mund të themi, Ai luajti rol kryesor në jetësimin e vendimeve të Kongresit të Lushnjes. …

Para 104 vitesh, Ahmet Zogu vinte në Kongresin e Lushnjes si një nga përfaqësuesit e krahinave me tradita patriotike, asaj të Matit, Dibrës dhe Mirdites.

I shoqëruar nga qindra luftëtarët e Tij, Ai luajti rol kryesor në sigurinë e zhvillimit të punimeve të Kongresit në ato ditë të trazuara.

Duke parë origjinën e Tij, prej familjes sē madhe patriotike Zogolliane, aftësitë personale dhe krahinën që Ai përfaqësonte, Kongresi e zgjedh Ahmet Zogun, unanimisht Minister të Brendshēm.

Pas përfundimit të punimeve të kongresit në Lushnjë, po atë pasdreke të 31 janarit, Ahmet Zogu që u zgjodh Ministër i Punëve të Brendshme, u dërgoi të gjitha prefekturave një qarkore nga qyteti i Lushnjes, me anë të së cilës i bënte të ditur popullit shqiptar arsyet për mbajtjen e Kongresit Kombëtar të Lushnjes dhe u shpjegonte atyre vendimet që mori ajo mbledhje historike, për shpëtimin e Shqipërisë nga rreziqet që e kërcënonin.

Gjatë punimeve të kongresit, ra në sy temperamenti i ndezur i Ahmet Zogut, që i bëri të gjithë delegatët të fitonin një admirim ndaj tij dhe ta zgjidhnin me votim unanim në postin delikat të Ministrit të Brendshëm, ndonëse ai nuk i kishte mbushur akoma 25 vjeç.

Qeveria e Durrësit u përpoq me të gjitha mënyrat dhe mjetet për të ndaluar zbatimin e vendimeve të kongresit, duke u mbështetur dhe në forcën e ushtrisë italiane.

Nisur nga presionet e qeverisë së Durrësit, e cila po bënte çmos për mosnjohjen e vendimeve të Kongresit të Lushnjes, shumë nga e delegatët Tiranës, Elbasanit, Kavajës e Shijakut, duke kuptuar se do të sulmoheshin me armë nga forcat italiane të nxitura nga qeveria e Durrësit, shfaqën mendimin që të qëndronin dhe për disa kohë në qytetin e Lushnjes.

Mendimet që shfaqën disa delegatë, për të qëndruar në qytetin e Lushnjes deri sa të stabilizohej disi situata e turbullt e krijuar, i kundërshtoi hapur Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu.
Mes të tjerash ai ju tha delegatëve:

“Vendimet e Kongresit do të zbatohen domosdo dhe pa vonesë, kjo gjë lyp guxim dhe punë, prandaj unë po nisem për në Tiranë, ju po të doni rrini këtu”.

Ashtu, siç dhe ishte parashikuar, gjatë udhëtimit të tij për në Tiranë, Ahmet Zogut dhe njerëzve që e shoqëronin, u ndaluan në Kavajë nga ana e forcave italiane që ishin të armatosura me topa e mitraloza.

Një oficer italian i doli përpara Zogut e njerëzve të tij dhe ju dha urdhër atyre që të ndërprisnin lëvizjen e tyre. Ahmet Zogu e kundërshtoi hapur oficerin italian duke i thënë:

“Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjes”.

Pas një debati të ashpër që desh kaloi në konflikt të armatosur, oficeri italian u tërhoq së bashku me gjithë forcat që kishte nën komandë dhe i hapi rrugën Ahmet Zogut që të hynte në qytetin e Kavajës.
Në Kavajë, Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu, qëndroi për disa ditë, duke emëruar nënprefektin dhe disa nëpunës të vegjël të administratës vendore.
Hyrja e Ahmet Zogut në Kavajë, e shqetësoi shumë qeverinë e Durrësit, e cila duke e kuptuar që me anë të forcës nuk mund ta ndalonte dot Zogun, filloi të përdorte dredhitë, duke i dërguar atij një delegacion për të hyrë në bisedime.

Delegacioni që u dërgua nga ana e qeverisë së Durrësit, i propozoi Ahmet Zogut, që të transferohej kryeqyteti për në Vlorë dhe të thërritej një kongres tjetër kombëtar atje, për të biseduar lidhur me situatën në vend e masat që duhet të merreshin për stabilizimin e situatës në Shqipëri.

Mbi këtë propozim, që ju afrua Zogut, qeveria e Durrësit, kërkonte anullimin e të gjitha vendimeve të Kongresit të Lushnjes.

Pas pak orësh nga vajtja e delegacionit të Durrësit për bisedime me Ahmet Zogun, delegacioni u kthye shpejt në qytet, pasi Zogu refuzoi kategorikisht.

Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes, falë guximit dhe këmbënguljes tashmë të Ministrit të brendshēm Ahmet Zogu, vendoset nē Tiranë.

Ahmet Zoguu si minister i brenshem, luajti rol të pazëvenfesuashem në vendosjen e rendit në një Shqipëri të trazuar siq ishte asaj kohe.

Prandaj Ahmet Zogu, me plot kuptimin e fjalës mbështetur në fakte të pakontestueshme mund të themi, Ai luajti rol kryesor në jetësimin e vendimeve të Kongresit të Lushnjes.

Prej këtij momenti Tirana mbetet kryeqytet i Shqipërisë, filloj ngritja e institucioneve shtetërore, kombi nisi të bëhet shtet, nisi njohja nderkombëtare e Shqipërisë duke u bërë e mundur futja e saj në Lidhjen e Kombeve të bashkuara brenda vitit 1920.

Nga ky Kongres nisi udhëtimin bërja e Shtetit Shqiptar dhe ngritja politike e Ahmet Zogut me rolin e pazëvendësueshëm të Tij në shërbim të atdheut dhe kombit nën moton. “ATDHEU MBI TË GJITHA” –

Nga Shpëtim Axhami.