Konservatorët europianë mbështesin opozitën: Duhet qeveri e re
Aleanca e Konservatorëve dhe Reformistëve në Europë, (ACRE) grupi i tretë më i madh në Parlamentin Europian, mbështet kërkesat e opozitës në Shqipëri.
Përmes një deklarate, ACRE pohon se kriza politke në Shqipëri mund të zgjidhet vetëm përmes një qeverie të re.
“Në dritën e instabilitetit politik në rritje krizës qeveritare dhe listës së gjatë të skandaleve që janë bërë publik së fundmi, ACRE beson se vetëm një qeveri e re, e krijuar mbi një platformë të berë politike, mund të garantojë fundin e këtij ngërçi politik dhe të rifitojë besimin e qytetarëve shqiptarë në proceset demokratike integruese europiane dhe sundimin e ligjit në vend”, thuhet në deklaratën e ACRE, ku bën pjesë edhe Partia Konservatore në pushtet e Britanisë së Madhe.
ACRE mbështet bashkimin e Partisë Republikane me koalicionin opozitar dhe thotë se e nxit atë të marrë hapa konkretë për të luftuar korrupsionin qeveritar dhe për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.
Aleanca e Konservatorëve dhe Reformistëve, një grupim i qendrës së djathtë shprehet se shqetësimi në rritje për zhvillimet e fundit në Shqipëri ka të bëjë me korrupsionin e qeverisë aktuale.
Gazeta Shqiptare.