Konservohen mbetjet e pikturave murale të shek.XIII në Kishën e Manastirit të Rubikut
26 Gusht 2024
Në Kishën e Manastirit të Rubikut që është një objekt të rëndësishëm kulti, po vijon konservimi i mbetjeve të pikturave murale të shekullit VIII.
Kisha e Manastirit të Rubikut u rikonstruktua përmes programit “EU4Culture”, i cili poashtu ka bërë të ditur se po vijon konservimi i mbetjeve të pikturave murale.EU4Culture është rikthyer në Kishën e Manastirit të Rubikut!
Ekipi i konservatorëve ekspertë të udhëhequr nga Dr Çaushi janë angazhuar plotësisht në konservimin e mbetjeve të pikturave murale të shekullit të XIII.
Qëllimi kryesor i konservimit është pastrimi dhe konsolidimi i pikturave të mbetura. Megjithatë, si në shumë projekte restaurimi, nën shtresat e llaçit dhe suvasë shpesh fshihen surpriza.
Gjatë punës që po bëhet nga ekspertët, në këtë kishë janë bërë të ditura edhe zbulime të tjera.Ekipi i Dr Çaushit zbuloi gjurmët e pikturave murale në të dyja faqet anësore të absidës, të cilat i përkasin një periudhe të mëvonshme dhe janë në gjendje shumë të brishtë.
Gjithashtu, mbishkrime janë zbuluar nën grumbullimet shekullore të pluhurit dhe shtresave të ndryshme. Një punë e madhe na pret përpara dhe qëllimi përfundimtar është integrimi i këtyre mbetjeve të sapogjetura në mënyrë që të çmohen nga të gjithë.
Kisha e Manastirit të Rubikut që u shpall monument kulture kategoria e parë në vitin 1973 ka shërbyer si abaci benediktine në fillesat e saj dhe kuvend françeskan më vonë. Kisha një monument françeskan, ndodhet mbi një kep shkëmbi me pamje nga lumi piktoresk Fan.
Ajo ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1272. Vlerë unikale e saj janë afresket, piktura murale të stilit bizantin.