RAMA SATELIT

28 Qershor 2022

Kryeministri Edi Rama u shpreh besimplotë se brenda vitit vendi ynë do të ketë satelitët e tij, që do të kenë kontributin e tyre në sektorin e bujqësisë.

Rama komentoi vonesën e projektit të satelitëve, të cilët ishin planifikuar për në muajin mars, por u zotua që brenda këtij viti do të jenë, pa dhënë një datë tjetër.

Po ashtu, Rama premtoi se bujqësinë në vend do ta çojnë në një nivel tjetër.

Në konferencën “Bujqësia me Teknologji dhe Inovacion”, kreu i qeverisë tha se inspektimi do të jetë nga qielli dhe s’do të ketë më inspektorë në territor.

“Na duhet të shtyjmë më shumë tek teknologjia dhe inovacioni. Nëse mbi 15 mijë fermerë duan naftë, po sa traktorë ka ky vend se nuk del llogaria. Ka një shkalë fiktiviteti. Si do të adresohet? Do të adresohet përmes teknologjisë dhe  formalizimit. Nga një anë me regjistrin e tokës dhe vënien në përdorim dronët dhe satelitët, që janë vonuar, por që do të vijnë brenda këtij viti shpresoj dhe me faturat.

Naftën do ta marrësh por do të sjellësh faturat tani. Do vijë edhe raporti që ti ke marrë naftën dhe ke shitur. Për atë sasi do të vazhdosh të kompensohesh. Do të kërkojë kohën e vet. 5 mijë të tjerë janë në proces. Ne nuk kemi dashur ta bëjmë të vështirë dhe të lodhshme prandaj ne jemi duke punuar që inspektimin ky vend ta çojë në qiell. Ta bëjë me satelitë, drona dhe jo me inspektorë”, tha Rama.