Kontroll blic, në apartamentin e fshehtë të çiftit Veliaj, dengje kartoni plot me euro
15 Janar 2025
Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve të tij.
Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar ditën e djeshme kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut, ambient që dyshohet se përdorej nga familjarët e kryebashkiakut.
Vendimi i gjykatës është ekzekutuar paraditen e djeshme nga agjentët e BKH, të cilët pas shumë orësh kontrolli kanë administruar në këtë apartament dokumente, apo pajisje elektronike me vlerë për hetimin.
Mësohet se kontrolli i ushtruar një ditë më parë është zhvilluar në një ambient të regjistruar si apartament që shërbente si magazinë, ku burime bëjnë me dije se janë sekuestruar disa kontrata që konsiderohen me vlerë për hetimin e SPAK-ut.
Gjykata lejonte që kontrolli të bëhej me qëllim zbulimin, administrimin dhe sekuestrimin e provave që kanë lidhje me veprën penale duke përfshirë prova dokumentare dhe elektronike, pajisje elektronike, celularë, lap top apo kompjuter personal.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ka publikuar nbë rrjetet sociale edhe urdhrin e kontrollit të lëshuar nga GJKKO-ja, ndërsa thotë se ky apartament mbahej sekret nga çifti Veliaj
JA ÇFARË THOTË BERISHA
Kontroll blic në apartamentin e fshehtë të çiftit Veliaj. Gjenden qindra fatura, dhjetëra kontrata dhe sasi e madhe kesh.
Më poshtë lexoni mesazhin e qytetarit dixhital:
Përshëndetje dr. Dje në ora 13:00 është kontrolluar nga BKH në një operacion blic një apartament i fshehtë i çiftit Veliaj mbi qendrën “Harabel”. Sipas Nesti Angonit ky ishte apartamenti i kesh-It të tyre. Apartamenti është gjetur grumbuj me fatura, me dosje të shumta kontratash por edhe kartona plot me euro. Të gjitha janë sekuestruar së bashku me kompjuterat dhe pajisjet e tjera dixhitale. Kontrolli u bë nën mbrojtjen e rreptë të policisë dhe vendim të gjykatës!