Kontrollorë turq në Rinas – Piloti Goxhaj: Iu duhen 2 javë për të nisur punë
Kontrollorë turq në Rinas – Piloti Goxhaj: Iu duhen 2 javë për të nisur punë
– 08/04/21
Kontrollorëve turq që kanë mbërritur që mbrëmë në Rinas për të zëvendësuar kontrollorët e ngritur në grevë, do t’u duhet minimalisht një trajnim 2 javor përpara se të nisin punën.
Të paktën kështu pohon ish-piloti dhe ish-shefi i operacioneve të fluturimit në AAC, Dritan Goxhaj.
Sipas tij, Turqia nuk operon me të njëjtat proceduara si Bashkimi Europian, si dhe gëzon procedura të tjera.
“Do të duhej më e pakta, minimalisht, një trajnim dy javor për procedurat e punës në Shqipëri. Do të duhet të kalojnë në një testim simulatori jashtë, se ne nuk kemi.Pastaj duhet të licensohen nga Autoriteti i Aviacionit Civil, dhe pastaj të fillojnë punën nën mbikqyrje për një periudhë kohe të shkurtër”, – tha Dritan Goxhaj.
Goxhaj theksoi se vendosja në punë e kontrollorëve turq pa e kryer fazën e trajnimit, do të përbënte thyrje të sigurisë së operimit dhe për rrjedhojë kosto politike dhe jo vetëm për Shqipërinë.
“Nëse qeveria i sjell nga Turqia dhe i vendos sot, Autoriteti Civil mund t’i licensojë me urdhër të qeverisë por është thyerje e sigurisë së operimit dhe kjo do të na çonte te EASA. Kjo do të konsiderohej si një thyerje e sigurisë së operimit dhe do t’i referohej dhe Komitetit të Sigurisë së Aviacionit në KE, dhe do të ishte një kosto jo vetëm politike për qeverinë por edhe për Shqipërinë. Duke qenë se ti cënon sigurinë, ky Komitet ka fuqinë të marrë masa ekstreme deri në listën e zezë të Autoritetit Civil dhe kjo të mbyll komplet nëse thyen rregullat që ti ke pranuar” , – u shpreh ai.
Gazeta Mapo