Koronavirusi mbërrin në Shqipëri, konfirmohen zyrtarisht dy raste
Koronavirusi mbërrin në Shqipëri, konfirmohen zyrtarisht dy raste
9 mars 2020
Koronavirusi mbërrin edhe në Shqipëri. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për mediat shpërndarë në mesnatë. Sipas njoftimit thuhet se janë dy raste, babë e bir, të cilët kanë udhëtuar nga Firence. Por nuk jepen më tepër detaje rreth identitetit të tyre apo vendit se ku janë duke marrë mjekim.
Qeveria ka njoftuar do të mblidhet të hënën paradite në një takim të jashtëzakonshëm për masat kundër koronavirusit dhe raportimin e Ministrave përgjegjës para kryeministrit.
Të dielën, Presidenti Ilir Meta iu drejtua me një apel qeverisë që të përforcojë masat kundër një përhapje të mundshëm të virusit Covid19. Meta sugjeroi dhe marrjen e masave të llojit ‘të zonës së Kuqe’ që po përdorin vendet e prekura tashmë me virusin e rrezikshëm.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë
Konfirmohen dy raste të importuara me COVID-19 në Shqipëri. Gjendja e dy të prekurve babë e bir që kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë është e stabilizuar dhe nuk paraqesin komplikacione. Strukturat tona të urgjencës kombëtare dhe ISHP janë duke ndjekur protokollin klinik dhe epidemiologjik për të dy rastet.
MSHMS përsërit thirrjen për qytetarët që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndjejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në nr.127, ku mjekët tanë do t’i përgjigjen çdo rasti.
MSHMS u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të zbatojnë rigorozisht rregullat e higjenës, sipas njoftimeve që kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe.
Gjithashtu u bëjmë thirrje qytetarëve që t’u referohen vetëm burimeve zyrtare për marrjen e informacionit.
MSHMS do të vazhdojë të ofrojë informacione të përditshme mbi situatën dhe masat e marra.
LAPSI.Al