14 Janar 2025

Nga Katerina Sula

Akuzat për korrupsion po bien mbi të. Siç demonstrojnë qytetarët që kërkojnë doreëheqjen e tij, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është nën hetim nga SPAK. I larguar nga Partia Socialiste, a do të mundet njeriu i mbrojtur nga kryeministri Edi Rama t’i shpëtojë burgut?

“Korrupsion, pastrim parash, deklarime të rreme të pasurisë…” Më 26 dhjetor, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është marrë në pyetje për pesë orë nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK).

I dyshuar për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë”, sipas Nenit 260 të Kodit Penal, Veliaj rrezikon dënimin me burg nga katër deri në dymbëdhjetë vjet, si dhe me gjobë nga një deri në pesë milionë lekë shqiptare.

Që nga prilli 2024, opozita ka organizuar demonstrata javore përpara bashkisë së Tiranës. Deri më sot janë mbajtur jo më pak se 39 tubime për të kërkuar aktakuzën

nga Erion Veliaj. “Erion Veliaj, pronar de facto i incineratorit të Tiranës dhe kreu i grupit kriminal “5D”, duhet të vihet para drejtësisë si iniciator, promotor, zbatues dhe përfitues i rastit më të madh të korrupsionit që ka parë qyteti ynë!”, është shprehur në “Facebook”, Belind Kellici, ish-deputet i Partisë Demokratike (PD) dhe ish-kandidat për kryetar bashkie Tiranë.

Nëse Erion Veliaj, një figurë kyçe në Partinë Socialiste (PS) në pushtet është përballur me një ortek të paprecedentë të kontrolleve gjyqësore, mbetet pyetja nëse drejtësia do të vendoset vërtet ndaj tij.

Një hetim i fundit i SPAK zbuloi dyshime për privilegje që i janë dhënë familjes së tij, duke përfshirë banesat dhe zyrat, në këmbim të shërbimeve të kryera për një ish-trafikant droge i dënuar në Belgjikë.

A janë këto veprime një reflektim i një sistemi drejtësie të reformuar rrënjësisht, apo këto janë thjesht një fasadë?

Hetimi duket se në pamje të parë konfirmon premtimet për “drejtësi të paanshme”. Por duke zgjeruar spektrin e analizës, lind një dyshim: inceneratori i Tiranës dhe shoqëria 5D, të cilat kanë shënuar skandale në shkallë të gjerë, në fakt nuk përmenden, gjë që sugjeron se Erion Veliaj mund të paguante për veprimet e tij individuale, por jo për rolin e tij në një sistem të përhapur korrupsioni në institucionin që ai drejton.

Një çështje debati është edhe pasuria e familjes së tij, veçanërisht e bashkëshortes Ajola Xoxa. Sipas tij në deklaratat e pasurisë, Erion Veliaj bën një jetë modeste me hipotekë dhe rrogë të moderuar, por nga ana tjetër gruaja e tij duket se gëzon një situatë shumë më të favorshme financiare.

Ajo zotëron disa prona, duke përfshirë një apartament të blerë për 88 mijë euro dhe një tjetër për 105.000 euro, si dhe depozitë bankare prej 617.000 euro. Në vitin 2023, ajo shënoi në llogarinë e saj një rritje të të ardhurave prej 97,000 euro, ndër të tjera falë projekteve kulturore të financuara nga Bashkia e Tiranës ose nga Ministria e Kulturës.

Vëllai i Erion Veliajt, Arbëri bleu 10% të aksioneve të Gogël për 1000 euro. Kjo kompani e marrëdhënieve me publikun realizoi 100.000 euro xhiro në vitin 2011, me fitim nga 20 deri në 30 000 euro. Pasi Arbër Veliaj u bë aksioner 100% i Gogël, kompania ka përjetuar rritje të shpejtë me më shumë se 30 milionë euro të ardhura gjatë dhjetë viteve të fundit.

SPAK do të duhet të hetojë ekzistencën e mundshme të konfliktit të interesit me klientët e Gogël që kanë përfituar nga fondet e bashkisë.

RËNIA E NJË TË MBROJTURI TË SISTEMIT

Rënia e Erion Veliajt ishte rezultat i një sërë vendimesh dhe marrëdhëniesh të këqija politike.

Marrëdhënie të tensionuara me mentorin e tij, kryeministrin socialist Edi Rama.

Që në debutimin e tij në PS, Erion Veliaj kultivoi një besnikëri të palëkundur ndaj kësaj të fundit, me shpresën se do t’i garantonte atij ngritje meteorike, si dhe mbrojtje politike.

Në vitin 2024, ishin shfaqur shenja shqetësuese, ku Edi Rama shprehu pakënaqësinë e tij. Në shkurt 2024, në një mbledhje të PS-së, kryeministri kritikoi publikisht Erion Veliajn për takime të konsideruara “të padobishme” dhe një qëndrim që nuk i përmbushte më pritshmëritë.

Fillimi i fundit për kryebashkiakun e kryeqytetit, i cili atëherë nuk e kuptoi se kritikat nga mbrojtësi i tij shënoi një pikë kthese vendimtare.

Situata u përkeqësua kur hetimet gjyqësore kishin në shënjestër bashkëpunëtorët e ngushtë të Erion Veliajt. SPAK intensifikoi hetimet dhe disa personalitete nga rrethi i tij u arrestuan me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Pavarësisht këtyre presioneve, Erion Veliaj vazhdoi të shfaqte besim të pakufishëm, i sigurt për mbështetjen e Edi Ramës.

Megjithatë, në mars, SPAK arrestoi dy zyrtarë të lartë bashkiakë të afërt me të.

Një muaj më herët, në shkurt, gjatë vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken në Tiranë, Erion Veliaj, i cili nuk ishte i ftuar në ceremoninë zyrtare, u detyrua të shtrëngonte duart e diplomatit amerikan, gjë që acaroi Edi Ramën, i cili më pas vendosi të distancohej publikisht me kryetarin e bashkisë.

Situata u përkeqësua më tej në prill, kur Erion Veliaj ishte thirrur nga SPAK për t’u marrë në pyetje për incineratorin e Tiranës, një nga më të mëdhatë skandale korruptive në kryeqytetin shqiptar.

Presioni më pas u bë i padurueshëm! Kritikat e brendshme brenda PS-së janë intensifikuar dhe mbështetja e Edi Ramës është shembur.

Në muajt në vijim, kontrollet e kryera nga SPAK në ambientet e bashkisë, si dhe hetimet për marrëdhëniet e dyshuara korruptive të Erion Veliajt me kompanitë e ndërtimit, konfirmuan shtrirjen aktivitetin e tyre të paligjshëm.

Edi Rama nxitoi të deklarojë se çdo individ i përfshirë në krime duhet të ndiqet penalisht, pa dallim. Ish i mbrojturi tani është një njeri me një karrierë të thyer, i dërrmuar nga një sistem ku ai besonte se ishte pjesë e tij integrale.

Më 28 dhjetor, dy ditë pas seancës dëgjimore në SPAK, Erion Veliaj fluturoi drejt Shteteve të Bashkuara, pa një agjendë zyrtare. Një largim që opozita nxitoi ta denonconte Erion Veliajn.

Megjithatë, ai u kthye në Tiranë më 31 dhjetor, pikërisht në kohën e duhur për të shijuar fishekzjarrët.

/Courrier des Balkans – Përktheu “Ora News”

"Korrupsion, pastrim parash, deklarime të rreme të

Nga OraNews