Korrupsioni në dogana dhe IKMT. Artan Fuga: – Asnjë zyrtar nuk i jep llogari drejtësisë! Miliona lekë të keqmenaxhuara dhe mazhoranca nuk reagon
20 Dhjetor 2022
Akademiku i njohur Artan Fuga u bën thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë ndaj zyrtarëve që akuzohen për afera korruptive.
Z. Fuga shpreh shqetësimin e mos reagimit të mazhorancës dhe se asnjëri prej të akuzuarve për korrupsion nuk i jep llogari drejtësisë. Akademiku iu referua dje denoncimeve të bëra nga “News 24” mbi korrupsionin në dogana dhe rastin e abuzimit të IKMT–së në Sarandë.
“News 24” siguroi një audio-përgjim të një çifti bashkëshortësh Foti dhe Sofi Doda me inxhinierin Urbanistik të Bashkisë së Sarandës, Ariel Balani, ku biseda është përqendruar mbi përpjekjet e qytetares në fjalë për të marrë lejen e shfrytëzimit të plazhit para biznesit të saj në bregdetin e Ksamilit. Biseda zbardh skemën e darovitjes së parave për të siguruar një leje plazhi apo që ndërtimi të mos kalojë me rreth të kuq në listën e shembjeve të IKMT-së.
Që në fillim inxhinieri Urbanistik i Bashkisë së Sarandës e orienton çiftin që të bëjnë gati ryshfetin për drejtuesit e lartë të IKMT-së. Pikërisht lidhur me investigimet e “News 24”, korrupsionin në Dogana dhe IKMT, profesor Fuga dhe se institucionet duhet të veprojnë sepse çdo vonesë është dëm që i sillet shtetit dhe qytetarit.
“Fakti që dalin të gjitha këto afera, dyshime, media i jep raste të qarta të korrupsionit dhe me këto kamera… Është meritë e medias dhe investigimi është i padiskutueshëm që është një kontribut i medias për të përmirësuar klimën politike. Problemi është se duhet shkuar deri në fund. Institucionet duhet të veprojnë. Kjo duhet çuar deri në fund. Çdo vonesë është një dëm që i sillet shtetit, qytetarit, demokracisë, gjithçkaje që mund të shëndoshë këtë shoqëri. A ka mundësi opozita që të fitojë ato pjesë të elektoratit në qytetet e mëdha vetëm me kaq? Unë mendoj që jo. Pa një projekt të madh në çdo qytet, në çdo bashki, mendoj që për disa rrethana të caktuara të gjithë këta faktorë nuk mjaftojnë, janë hapa të mirë, por nuk mjaftojnë. Qytetari nuk ecën as me idenë e revanshit, as me idenë që u ndëshkua ky apo ai, qytetari shikon interesin e vetë”, deklaroi Fuga.
Akademiku i njohur i ftuar në “News 24”, deklaroi se nuk pret që mazhoranca të reagojë në lidhje me raste të tilla, pasi një reagim nuk ka pasur as për rastin e inceneratorëve, të cilin qeveria tenton ta paraqesë si shkelje personale dhe jo problem me sistemin. Fuga apeloi se gjithashtu duhet një pastrim dhe depolitizim i administratës, por se kjo nuk bëhet duke qenë se aty janë baza e pushtetit dhe trafiqet e interesit.
“I qëndroj parimit që denoncimet shpresoj që media i paraqet edhe organeve të drejtësisë se nuk ka arsye se përse të mos e bëjnë, por edhe vetëm fakti që paraqiten në media, ja në një indice e mjaftueshme për të filluar një investigim nga organet përkatëse. Se ç’bënë politika e mazhoranca, mirë do të ishte të reagonte, por unë i qëndroj asaj që në radhë të parë duhet të veprojë drejtësia. Nëse për inceneratorët ku ka edhe të arrestuar nuk flet mazhoranca dhe thotë është çështje e një apo dy njerëzve të vetëm, që nuk mund të jetë sepse ata ishin në krye të hierarkisë burokratike, por po zyrtarët e tjerë? kur shoh që KLSH thotë miliona janë të keqmenazhuara dhe mazhoranca nuk e heton, duhet një depolitizim i fuqishëm. Nuk pres të veprojë mazhoranca se ky nuk është një fenomen i ri, ajo qëndron e heshtur e pasive sepse mbrapa janë rrjete të ndryshme solidaritetesh, një elektorati caktuar, njerëz që kanë dhënë apo pritet të japin kontribute si patronazhistë që janë në administratë. Është e pamundur për sistemin qeverisës dhe as ka qenë ndonjëherë e mundur që mazhorancë të ngrihet e të pastrojë administratën e vet sepse aty janë trafiqet e interesit, aty është pushteti”, tha ai.
Fuga komentoi gjithashtu edhe amnistinë fiskale, të cilën kryeministri Rama tha se do të bëhet me patjetër, duke renditur arsyet se përse është një ligj antikushtetues.
“Nga pikëpamja kushtetuese, Kuvendi e ka të pamundur juridikisht dhe nga pikëpamja e të drejtës kushtetuese ta bëjë në mënyrë të menjëhershme, paratë jashtë kontrollit ligjor të hyjnë në sistem sepse shkelet barazia e qytetarëve para ligjit. Çdo GJK do ta quante jo kushtetues këtë ligj nëse do të bëhej në këtë mënyrë. Del jashtë kompetencave të Kuvendi sepse është një histori e gjatë. E fundit, është shumë problematike sepse asnjë ligj nuk mund të ndryshojë politikën e taksës”, tha Fuga. /VALENTINA MADANI
Panorama