16 Gusht 2023

Gazetari Klodian Tomorri foli mbi detajet e reja nga hetimi i SPAK për korrupsionin në ushtri.  Tomorri tha se janë një seri çështjesh që po hetohen që prekin ushtrinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Ai u shpreh se deri më tani dihet që i është sekuestruar celulari komandantit të Forcës Ajrore.

Gazetari vë në dukje se hetimet s’janë të kufizuara vetëm brenda FA, por edhe në nivel politik.
I pyetur nëse ka dorë Amerika, Tomorri tha se është hipotezë logjike, pasi Uashingtoni, por edhe NATO janë të ndjeshëm në çështjet e sigurisë.

“Është një çështje nën hetim dhe informacioni që është publik është gjithmonë i rezervuar. Ajo që dimë është që ka një hetim të SPAK për Forcat Ajrore, por jo vetëm. Ka disa hetime që prekin ushtrinë shqiptare. Në rastin e komandantit të Forcës Ajrore, është konfirmuar që i është sekuestruar telefoni celular në lidhje me disa hetime për disa tendera që kanë të bëjnë edhe me mirëmbajtjen e helikopterëve dhe veprime të tjera. Investigimet s’janë ndalur vetëm te komandanti i Flotës Ajrore, ka sekuestrime të drejtuesve të nivelit më të ulët të Forcës Ajrore, dhe ushtarakëve të tjerë, përfshirë Forcën Tokësore dhe zyrtarë civilë në Ministrinë e Mbrojtjes.  Nuk kemi vetëm një çështje që po hetohet, por disa çështje njëherësh, janë tenderat, privatizimet dhe tjetërsimet e pronave të ushtrisë.

Janë disa hetime që prekin ushtrinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Bëhet fjalë për kohën kur ministria është drejtuar nga znj.Xhaçka. është çështja e bazës së Sarandës, që është sekuestruar, kemi çështjen e muzeut në Bërzhitë, ndërtimet pa leje brenda bazave ushtarake, e kështu me radhë. Në ushtrinë shqiptare ka hyrë korrupsion. Përvoja ka treguar edhe në vendet fqinje, që kur korrupsioni hyn në ushtri ka arrestime të bujshme. Është një hipotezë logjike që mund të kenë dorë amerikanët, sepse janë të ndjeshëm në çështjet e sigurisë. Shqipëria është vend i NATO-s dhe ajo që ndodh këtu u intereson edhe të tjerave, pasi ka akses në informacione. Nëse ushtria shqiptare gërryhet nga korrupsioni, kjo dëmton edhe vendet aleate të NATO-s.

Vitet e fundit kemi parë zëra në rritje që denoncojnë që edhe në ushtri ka korrupsion. Për shkak të rritjes së shpenzimeve, por tenderat janë njëra anë, ana tjetër është ajo që ka ndodhur me pronat e ushtrisë, pasi ushtria ka pasur në pronësi disa nga zonat më të lakmuara të vendit, veçanërisht ato bregdetare, ku janë tjetërsuar mbi 140 ha troje, apo prona të ushtrisë, që janë nxjerrë nga plani i përhapjes. Shpesh janë tentuar të privatizohen pa u nxjerrë fare nga plani i përhapjes. Znj. Xhaçka është thirrur disa herë në SPAK, madje mund të jetë zyrtarja që është thirrur më shumë në Prokururinë e Posaçme. Kjo tregon që hetimet s’janë të kufizuara vetëm brenda FA, por edhe në nivel politik. S’e di nëse ka hetime në kohën e z. Peleshi”, tha Tomorri.

Nga Gazeta Sot