Kosova dhe Serbia përplasen për çështjen e dinarit, çfarë ndodhi në Këshillin e Sigurimit
9 Shkurt 2024
Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë shkëmbyen sot akuza të rënda, përfshirë rreth zbatimit të vendimit për kufizimin e importit të dinarit serb në Kosovë, ndërkohë që ambasadorët e vendeve perëndimore kërkuan nga palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë drejt përshkallëzimit të situatës.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, që kishte kërkuar seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork për të diskutuar për zhvillimet në Kosovë, akuzoi Kryeministrin Kurti se po pamundëson jetën e serbëve që jetojnë atje. Institucionet e Kosovës “kanë krijuar kushte të padurueshme të jetesës për serbët dhe tani ata po ndërmarrin sulme gjithëpërfshirëse, sistematike kundër civilëve serbë, si dhe po i përndjekin ata. Një situatë e tillë, në mungesë të një reagimi të duhur, mund të shkaktojë dëm të pariparueshëm për mbijetesën e popullit serb në Kosovë,” deklaroi zoti Vuçiç, duke shtuar se ata varen nga mbështetja financiare e buxhetit të Serbisë për pensionet dhe shërbimet e tjera bazë, përfshirë ato të kujdesit mjekësor dhe social, si dhe të arsimit.
Sipas tij, vendimi për heqjen nga qarkullimi të dinarit është “goditje e drejtpërdrejt ndaj mbijetesës së serbëve dhe të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. “Është pikërisht krijimi i kushteve të padurueshme të jetesës dhe mohimi i mundësisë për të mbijetuar që ka për qëllim regjimi në Prishtinë, i cili përmes akteve të këtilla te dhunës strukturore po intensifikon sulmet sistematike kundër popullatës serbe, të cilat janë mirë të planifikuara me vite dhe përmes të cilave përndjekja e hapur e serbëve në Kosovë ka filluar.”
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili për herë të parë mori pjesë në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i hodhi poshtë si të pavërteta akuzat e zotit Vuçiç dhe tha se institucionet e Kosovës do të sigurojnë një tranzicion për serbët e Kosovës rreth përdorimit të dinarit serb. “Beogradi po i bie këmbanës… për shkak se po ndalojmë thasë parash në kufi. Po ankohen jo për shkak se janë të brengosur për fatin e serbëve të Kosovës, por për shkak se është gati t’iu mbyllet kanali fitimprurës i parasë së jashtëligjshme në veri të Kosovës”, deklaroi kryeministri Kurti.
Ai akuzoi Serbinë se po sillet si “kali i Trojës i Kremlinit” në rajon dhe shtoi se “rregullorja në asnjë mënyrë nuk ndalon dhe as nuk pengon qeverinë e Serbisë që t’u japë përkrahje financiare serbëve të Kosovës”. “Çfarëdo pretendimi për të kundërtën nuk është asgjë më shumë se propagandë e rreme që ka për qëllim të nxisë tensione etnike”, tha zoti Kurti. Sipas tij, “Beogradi nuk mund të lejohet pafundësisht të financojë kriminelët dhe terroristët e tij në Kosovë me shuma parash që qarkullojnë lirshëm dhe jashtëligjshëm në vendin tonë”.
Ambasadorja amerikane në OKB Linda Thomas-Greenfield kritikoi Prishtinën për veprime të pakoordinuara dhe Beogradin për shmangie të përgjegjësisë për sulmin në Banjskë vitin e kaluar. Ajo u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga “veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese” dhe kritikoi institucionet e Kosovës për “veprimet e fundit të pakoordinuara” ndaj institucioneve komunale të mbështetura nga Serbia në pjesën perëndimore të Kosovës dhe ndaj organizatës joqeveritare “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” në Prishtinë.
“Këto veprime nuk përputhen me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për t’i dhënë përgjigje çështjeve që prekin mirëqenien e minoritetit serb”, deklaroi ajo. “Dhe ato dëmtojnë rrugëtimin drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.
Ajo tha se zbatimi i vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës është bërë “pa përgatitje të mjaftueshme apo konsultime me popullatën vendase”. “Përsërisim thirrjen që zbatimi i këtij plani të shtyhet menjëherë deri në vendosjen e procedurave të duhura në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane… dhe popullata e prekur të jetë informuar,” deklaroi ambasadorja Thomas-Greenfield. Sipas saj, pengesat në shpërndarjen e fondeve nga Serbia “duhet të minimizohen” gjatë kësaj periudhe të tranzicionit.
Përfaqësuesja amerikane në OKB gjithashtu përsëriti dënimin e sulmeve “të koordinuara, të dhunshme paraushtarake serbe ndaj policisë së Kosovës” në Manastirin e Banjskës më 24 shtator, gjatë të cili u vra një polic i Kosovës.
“Katër muaj kanë kaluar që nga ky sulm dhe Serbia ende nuk po i mban përgjegjës ata që janë të përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e tij. Në fakt, udhëheqësi i vetëshpallur i sulmit mbetet i lirë në Serbi”, deklaroi ajo, duke i bërë thirrje Serbisë që “t’i mbajë plotësisht përgjegjës drejtuesit dhe organizatorët e sulmit të 24 shtatorit”. “Serbia duhet gjithashtu të punojë me KFOR-in për t’u siguruar që një sulm i tillë të mos përsëritet”. Ambasadorja amerikane Thomas-Greenfield tha se dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë nën udhëheqjen e BE-së dhe jo në OKB./VOA