Kosova e Serbia përsëri në Bruksel – Per çështjen e dinarit?
30 Prill 2024
Do të vijojnë bisedimet në mes të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit. Edhe në këtë takim, temë kryesore pritet të jetë dinari.
Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje lidhur me çështjen e dinarit, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen sërish sot në Bruksel.
Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak shprehu pritshmërinë që bisedimet e së enjtes në Bruksel do të bazohen në ide konkrete.
“U ktheva në Bruksel për vazhdimin e përpjekjeve të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një rrugë në lidhje me të ashtuquajturën “çështje dinar”. Diskutuam një zgjidhje të mundshme të përkohshme për qytetarët e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operimin me para të gatshme dhe besoj se ia dolëm ta kalojmë pengesën e madhe. Në të njëjtën kohë, disa dallime mbeten dhe për këtë arsye do të pres sërish dy kryenegociatorët në Bruksel dhe pres që bisedimet tona të bazohen në ide shumë konkrete, të cilat do të na mundësonin të ecim përpara në interes të popullit”, shkroi Lajçak në Facebook në një përmbledhje që i bëri angazhimit javor.
Të enjten e kaluar, ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje edhe rundi i katërt në përgjithësi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.
Pas takimit, Bislimi tha se pala serbe kishte shkuar në kryqendrën europiane pa ide për trajtimin e një propozimi fillestar që e kishte sjellë në tavolinë ndërmjetësi Lajçak.
“Ky takim mund të quhet si takim i kotë, pa rezultat, dhe ndoshta si sukses i politikës penguese të palës serbe”.
Petkoviq, ndërkaq tha se bëri gjithçka për ta gjetur një zgjidhje dhe se kishte “një propozim konstruktiv” që sipas tij, Lajçak e vlerësoi si “shumë të mirë për vazhdimin e bisedimeve”.
Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.
Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.
Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik.
Në takimet e deritashme në Bruksel për këtë çështje janë dhënë disa propozime për gjetjen e një zgjidhje sipas së cilës Serbia do të mund të bënte pagesa për shfrytëzuesit e ndihmës financiare në Kosovë./monitor