Kosova hap zyrtarisht ambasadën në Izrael
Kosova hap zyrtarisht ambasadën në Izrael
14 MARS 2021
Kosova ka hapur zyrtarisht ambasadën në Izrael.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë që njofton se ambasada është me seli në Jeruzalem, që u hap si pjesë e Marrëveshjes së arritur në Washington në shtator të vitit që shkoi.
“Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jeruzalem. Ambasada e Republikës së Kosovës në Jeruzalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, ku zyrtarizohet njohja e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit si dhe zotimit të Qeverisë së Kosovës ndaj Qeverisë izraelite dhe Administratës amerikane dhe veprimet që janë ndërmarrë nga 1 shkurti, zyrtarisht bëhet hapja e Ambasada e Kosovës në Shtetin e Izraelit, me seli në Jeruzalem.
Gjatë ceremonisë së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më datën 1 shkurt 2021, Ministri i Jashtëm i Shtetit të Izraelit, Gabriel Ashkenazi bëri zbulimin e pllakës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jeruzalem.
Gazeta Shqip