Kosova paralajmëron fundin e “Ballkanit të hapur”. – Gjermania do i japë goditjen përfundimtare dyshes Rama-Vuçiç duke riaktivizuar Procesin e Berlinit
10 QERSHOR 2022
Gjermania i jep përparësi procesit të integrimit në Bashkimin Europian të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet nismës Procesi i Berlinit, duke anashkaluar plotësisht projektin rus “Ballkani i Hapur” i marrë në mbrojtje së
fundmi nga diplomati i lartë rus Sergei Lavrov . Kosova ka paralajmëruar se ardhja e kancelarit gjerman,
Olaf Scholz do të sjellë zhvillime pozitive për “Ballkanin Perëndimor”. Kryeministri, Albin Kurti ka folur
për dy lajme të mira, duke ju referuar dështimit të vizitës së ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov në Beograd si dhe vizitës që do bëjë sot në Kosovë, kancelari gjerman. Sipas tij, për dështimin e mikpritjes së ministrit të
Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov në Beograd, duhet falënderuar tri shtetet që janë anëtare në NATO:
Bullgarinë, Maqedonia Veriore dhe Malin e Zi. “Këtë javë kishim një lajm të mirë, dështimin e mikpritjes
në Beograd të ministrit të Jashtëm të Rusisë, Lavrov dhe kjo u bë duke ju falënderuar tre anëtarëve të
NATO-s: Bullgarisë, Maqedonisë Veriore dhe Malit të Zi”, tha ai. Ndërkaq, Kurti tha se sot në Kosovë
do ta presin kancelarin gjerman, Olaf Scholz për të risjellë në “jetë” Procesin e Berlinit. Ai tha se kancelarit
gjerman do t’i bëjnë një pritje të lartë shtetërore. “E kemi dhe një lajm të mirë se sot do të na vijë për vizitë
kancelari gjerman Scholz, për një lloj freskimi për procesin e Berlinit. Do t’i bëjmë një pritje të lartë
shtetërore kancelarit Scholz”, tha ndër të tjera kryeministri Kurti.
Kosova kundër “Ballkanit të Hapur”
Kurti, i qëndron vendimit se Kosova nuk do t’i bashkohet nismës “Ballkani i Hapur”. Pas takimit të
Ohrit, ai sqaroi ditën e djeshme se nëse një iniciativë e tillë do të ishte e drejtë, Serbia duhet të ndryshonte
qasje ndaj Kosovës. “Për të pasur Ballkan të Hapur, është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës. Është
Serbia që duhet të ndryshojë që Ballkani të jetë demokratik paqësor dhe i sigurt. Ne e flasim të vërtetën e
të drejtën. Jemi të bindur se rruga e duhur është që po ndjekim ne. Kur ka iniciativa të tilla duhet të shikojmë
se a janë të gjitha anëtarët pjesëmarrës. 6 shtete janë të barabarta në procesin e Berlinit”, u shpreh
kryeministri Albin Kurti. Për mbledhjen e Ohrit reagoi edhe presidentja Vjosa Osmani. Ajo e konsideroi
absurd faktin që Serbia të jetë pjesë e programit “Partneritet për Paqe” të NATOS, edhe pse ajo nuk synon
anëtarësimin në aleancë. “Jemi duke punuar me SHBA dhe të tjera të NATO-s që të binden edhe ato 4
shtete të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën që të mos na pengojnë. Po përballemi me situatë absurde
ku shtete si Serbia apo Bjellorusia janë në PFP përkundër që janë AntiNATO dhe nuk kanë synim për
anëtarësim, kurse Kosova që e ka formuar shtetin me ndihmën e NATO-s akoma nuk e ka marrë një ftesë
të tillë”, u shpreh presidentja e Kosovës.
Çfarë është Procesi i Berlinit?
Procesi i Berlinit është një iniciativë e udhëhequr nga Gjermania me mandat për ta lehtësuar
bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnjes, Kosovës,
Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë për t’u mundësuar atyre që t’i bashkohen BE-së. “Agjenda e l
idhshmërisë” është komponenti më i rëndësishëm që synon lidhjen e gjashtë vendeve të Ballkanit
Perëndimor në fushat e transportit dhe energjisë, që më vonë u zgjerua në shkëmbime rinore dhe
marrëdhënie ekonomike. Samitet e mbajtura në Gjermani, Austri, Francë dhe Itali krijuan komunikimin
mes udhëheqësve të Ballkanit, hartuan disa projekte infrastrukturore dhe iniciativa të reja rajonale.
Kosova ka përfituar shumë nga të qenët pjesë e Agjendës së Berlinit. Megjithatë, marrëdhëniet e dobëta
me vendet fqinje dhe mosnjohja nga pesë shtete anëtare të BE-së është duke e penguar përparimin.
“Brengat” e brendshme, përfshirë institucionet e dobëta dhe krizat e vazhdueshme, e kanë bërë Kosovën
të ketë performancë të ulët në planifikim, koordinim dhe zbatim. Procesi i Berlinit nuk duhet të largohet
dhe duhet të kthehet në Berlin për t’u rimbushur dhe përfshirë në Strategjinë e BE-së për Zgjerim për
Ballkanin Perëndimor.
Gazeta Sot