Kosova si pjesë e Serbisë në librin e klasës së 8-të/ Reagon ministrja Shahini: Nuk duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla, por…
Kosova si pjesë e Serbisë në librin e klasës së 8-të/ Reagon ministrja Shahini: Nuk duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla, por…
22 nentor 2019
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka reaguar për librin me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit dhe e ka quajtur “gabim i paqëllimshëm”.
Në një postim në rrjetin e saj “facebook”, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, reagon pas postimit të ish kryeministrit Sali Berisha, tek i cili ishte denoncuar nga një nxënës i shkollës “Besëlidhja” në Ballsh, se “në hartën e Ballkanit në librin e Qytetarisë 8, Kosova nuk njihet si shtet i pavarur por si pjesë e Serbisë”, shkruante nxenesi.
“Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 22 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate. Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!”
Ajo nënvizon se ky gabim është i paqëllimshëm, ndërsa thekson faktin se janë bërë përmirësime kolosale në korrigjimin e teksteve shkollore. “Por padiskutim që nuk do të duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla në librat shkollorë!”, shton ministrja Shahini.
Ndër të tjera, ajo shprehet:
“Lajmi i mirë është se kjo ka ndodhur ndërkohë që po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi sivjet është mbyllur procesi i hartimit të librave të reja. Pastaj do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë”.