Kosovë: – Dy ish komandantë të UÇK-së udhëtojnë për në Hagë. –
Kosovë: – Dy ish komandantë të UÇK-së udhëtojnë për në Hagë. –
13 jana 2019
Dy ish-komandantë të UÇK-së nisen për në Hagë të ftuar nga Prokuroria Speciale që funksionon në kuadër të Gjykatës Speciale për krime lufte. Asnjë aktakuzë deri tani nuk është ngritur nga Gjykata Speciale.
Dy ish komandantё të UÇK-së, Sami Lushtaku nga zona e Drenicës dhe Rrustem Mustafa, nga zona e Llapit, të dielën (13.01)udhëtojnë për në Hagë të ftuar nga Prokuroria e Gjykatës Speciale për krime e lufte. Lajmin e ka konfirmuar njëri nga avokatët e tyre, Arianit Koci. Të dy ish- komandantët e UÇK-së, gjatë javës do të intervistohen nga prokurorët në këtë Gjykatë, në kuadër të hetimeve për krime lufte. Është hera e parë që Prokuroria Speciale nga Dhomat e Specializuara, intervistojnë dikë në Hagë, ndonëse ftesa për intervistim tashmë kanë marrë mbi 10 ish- pjesëtarë të UÇK-së, disa nga të cilët tashmë janë inervistuar në Prishtinë. Për në Hagë pritet të udhëtojnë edhe dy ish-pjesëtarë të UÇK-së, Nazif Mehmeti dhe Sabaudin Cena.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, duke e cilësuar të padrejtë themelimin e Gjykatës Speciale, tha se ai “është i bindur se ish-pjesëtarët e UÇK-së do të dalin faqebardhë”.
“Luftëtarët e lirisë i kanë kaluar filtrat e UNMIK-ut pastaj Tribunalin e ish-Jugusllavisë në Hagë, EULEX-in, gjykatat vendase të Kosovës dhe padrejtësisht i është ngarkuar Kosovës edhe një filtër, por me nderin më të madh luftëtarët e lirisë do ta kalojnë edhe këtë filtër”, deklaroi kryeministri Haradinaj.
Ndonëse nuk ka ndonjë njoftim zyrtarënga Prokuroria e Gjykatës Speciale, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Ngucati, tha se sipas një liste që posedon ai “11 pjesëtarë të UÇK-së, janë thirrur për intervistim nga prokuroria e Gjykatës Speciale”.
“Kjo është e papranueshme, kjo gjykatë ka qenë e panevojshme dhe e njëanshme edhe raciste. Kur them raciste për arsye se është e njëanshme dhe nuk përfshin të gjitha krimet e luftës që kanë kryer paramilitarët serb”, citohet të ketë thënë Ngucati.
Deri tani Gjykata Speciale nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, të dyshuar për krime të mundshme gjatë luftës. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka shprehur drojë që personat, të cilët janë ftuar për intervistim në Hagë edhe mund të arrestohen.
Prokuroria Speciale në kuadër të Gjykatës Speciale është funksionale që nga pesë korriku i vitit të shkuar.
Zëdhënësi i zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Benett, ka thënë se “kjo zyrë nuk i komenton spekulimet për aktakuzat dhe nuk ofron informacione për statusin e hetimeve”.
Një muaj më parë hetuesit e prokurorisë Speciale, disa ish-pjesëtarë të UÇK-së i intervistuan në Prishtinë në zyrat e misionit EULEX. Njëri nga të intervistuarit e parë nga Prokuroria Speciale ishte Sokol Dobruna, ish-kryetar i Gjykatës Ushtarake së UÇK-së gjatë luftës në vitin 1998-99 dhe një pjesëtar tjetër i UÇK-së, Safet Syla. Ky i fundit në një konferencë për medie, pas intervistimit pati thënë se ai është intervistuar për 18 orë në selinë e misionit EULEX në Prishtinë.
“Jam intervistuar për 18 orë nga Gjykata Speciale. Më kanë marrë pa ftesë. Nga pyetjet e bëra kam kuptuar që me kanë intervistuar për rolin tim në luftë”, tha Safet Syla.
Pas bërjes publike të ftesave për intervistim nga Prokuroria në kuadër të Gjykatës Speciale të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaci, ftoi bashkëluftëtarët e tij që t’u përgjigjen ftesave nga Gjykata Speciale.
“Dhomat e Specializuara, Kosova i ka themeluar në vitin 2015, duke besuar në të vërtetën dhe drejtësinë. Luftëtarët tanë të lirisë, çdoherë kanë qenë shembull në rajon, duke iu përgjigjur dhe mos i ikur asnjëherë drejtësisë. Edhe sot, në situatën e re të krijuar, çdo ish-luftëtar i lirisë duhet t’i ruajë dhe kultivojë vlerat fisnike prej luftëtari, duke iu përgjigjur Dhomave të Specializuara me korrektësi qytetare dhe ligjore”, shkroi në profilin e tij social, Presidenti Hashim Thaçi.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, janë përgjegjës për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011. Në Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar punojnë rreth 150 persona, të cilët vijnë nga shtete të ndryshme të botës, ndërsa nuk punon asnjë person nga Kosova.
Në gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, e cila selinë e saj tashmë e ka më Hagë dhe në të do të punojnë tërësisht prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtar. Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organeve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Asnjë aktakuzë akoma nuk është ngritur mbi bazën e këtyre pretendimeve, ndërsa, hetime në shkallë të gjerë akoma apo vazhdojnë.
Bekim Shehu – Deutsche Welle