Kosovë: – Hapet një hotel për mace.
16 Mars 2024
Në një ambient të rrethuar nga kafshët, dashuria për to shtohej vazhdimisht për Fjolla Neziri-Preniqin, e cila ndiqte edhe studimet për veterinari.
Tash e 5 vjet Fjolla kujdeset në mënyrë profesionale për to, madje në shtëpinë e saj hapi edhe një hotel për mace.
Krah të djathtë e ka babanë, i cili që nga orët e para të mëngjesit e derisa Fjolla të kthehet nga puna për në shtëpi, vazhdimisht kujdeset për to, që nga pastrimi, ushqyerja e argëtimi.
Aktualisht në hotel qëndrojnë 7 mace, të cilat duan kujdes të veçantë e mirëmbajtje, por, sipas Fjollës, macja është kafsha më e pavarur dhe e lehtë për ta mbajtur.
Veterinerja thotë se nëse mban një kafshë në shtëpi, duhet t’ia njohësh edhe gjuhën e trupit, gjë që flet shumë për gjendjen e tyre emocionale.
Kotelet i ka për qejfi, dy prej tyre po qëndrojnë në hotel.
Pothuajse të gjitha macet që janë këtu është pasi që pronarët e tyre nuk kanë mundësi t’i marrin me vete në udhëtime, e në këto raste hoteli është një mundësi e mirë për to.
Sipas hulumtimeve të shumta, thuhet se macet përpos shoqërisë së mirë që mund t’i bëjnë njeriut, ndikojnë pozitivisht në shëndetin e tyre duke zvogëluar ankthin dhe stresin, e po ashtu mbajnë mendjen të mprehtë.
Gazeta Koha, Prishtinë