Kostandin Shpataraku në gjurmët e Onufrit. –
Nga: Anisa Demiraj. –
-Ne jemi një vend shumë i vogël, por që ka mundësinë të të ofrojë shumë. Një nga bukuritë më të vlerësuara në Shqipëri edhe më gjerë, janë pikturat murale nëpër kisha, të cilat datojnë që në shekullin e XVI. Artistët e asaj kohe kanë qenë të paktë, por puna që bënin ishte kolosale dhe e mrekullueshme. Mjeshtri i madh i afreskut ka qenë Onufri dhe djali i tij Nikolla, ndërsa për sa i përket ikonografisë, kurorën e mban Kostandin Shpataraku, i cili i përket shekullit të XVIII. Gojëdhënat për Kostandinin janë të shumta, disa thonë se është nga Selta, një tjetër nga Pashtreshi, kurse më bindësja mbetet të jetë ajo nga Valshi. Gojëdhëna thotë se Kostandini ishte nga fshati Valësh, prej njërit prej fiseve më të vjetra të fshatit, fisit Oga. Fillimisht kjo familje ka banuar në lagjen, sot fshati Maskarth.
Meqenëse kishte probleme me pushtuesit osmanë për çështjen e fesë ortodokse u largua si familje për të humbur gjurmët. U vendos në qendër të fshatit Valësh, aty ku dhe sot njihet toponimi ”Mani i Ogës”.
Kostandin Shpataraku ishte realizues i mjaft ikonave në kishat më të njohura të vendit tonë dhe jo vetëm. Krijimtarinë e tij të dokumentuar, Kostandin Shpataraku, e nis në vitin 1736,datë që ka shënuar në ikonën e punuar në manastirin e shën Joan Vladimirit. Në kishën e këtij manastiri, ai ka zbukuruar ikonostasin me ikona të mëdha e të vogla. Fatmirësisht nga krijimtaria më se tridhjetëvjeçare e këtij piktori, janë ruajtur mbi 150 vepra ikonografike në muze të ndryshme, në kishën e Shën Marisë të manastirit të Ardenicës dhe në kishën e Shën Marenës në Llëngë të Pogradecit. Ka pikturuar në kishën e Qimitrit të manastirit të shën Pjetrit në Vithkuq dhe në kishën e shën Premtes në Kavajë. Sipas studiuesit të artit Ylli Drishti:”…Një pjesë e ikonave të ikonostasit duke përfshirë kryqin mbi ikonostas, dyer të e bukura, një baldakin me 15 figura dhe 17 ikona të vogla me skena nga jeta e Krishtit dhe e Shën Mërisë, janë të Kostandin Shpatarakut. Edhe piktura murore e kësaj kishe është pikturuar prej tij më 1754.
Pas bërjes së kryeveprave të tij, për arsye ende të paditura, Shpatarakun e kapën osmanet dhe i prenë kokën dhe ja vunë mu në mes të pazarit në Elbasan. Njerëzit e afërt të tij në Valësh, e morën vesh vrasjen e Kostandinit dhe mbrritën në Elbasan. Nje nga ata me emrin Oga, që e mori kokën e Kostandinit, u ka treguar atëherë valshakëve,se koka e prerë kishte zënë arza (grereza) dhe ato nuk lejonin të afrohej njeri, por kur u afrua Oga ,ato u larguan. Ai e mori kokën e mblodhi me shami dhe e futi në trastë dhe hipur në kalë mbrriti në Valësh. Për të varrosur kokën e Kostandinit u bënë tre varre; në njërin prej tyre u varros koka. Kjo u bë që të mos gjendej varri i vërtetë.
Më 21 shtator të çdo viti në fshatin Valësh të Shpatit, fisi Oga feston Shën Mërinë, në kujtim të birit tyre Kostandin Shpataraku. Aty ku thuhej nga të moshuarit, duke e përcjellë nga brezi në brez, se ishte varri i Kostandinit, është ngritur një faltore e vogël nga vetë banorët, ku shkojnë dhe ndezin qirinj.
Emri i piktorit të shquar shpatarak është gjetur në një kodik të kishës së Shën Kollit në Elbasan që mban datën 31 maj 1759.