Kotzias: Shqipëria dhe Maqedonia po na rrethojnë si gaforre. –
Kotzias: Shqipëria dhe Maqedonia po na rrethojnë si gaforre. –
16 janar2019
Vijon në parlamentin grek debati maratonë i cili i paraprin në mesnatë votëbesimit tw kërkuar nga kryeministri grek Alexis Tsipras për qeverinë e tij pas daljes nga koalicioni i partisë grekët të pavarur.
Gjatë diskutimeve nuk kanë munguar debatet edhe për Shqipërinë. Ish ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias duke folur për marrëveshjen e Prespës me Maqedoninë, dha alarmin për rritjen e ndikimit turk në rajon.
A e dini se nga çfarë rrezikohet veriu i Greqisë? Rrezikohet nga shndërrimi i ish Republikës Jugosllave te Maqedonisë dhe i Shqipërisë në kthetrat e gaforres që përpiqet të na rrethojnë nga lindja dhe nga veriu. Të mos lejojmë Turqinë më tej në këtë rajon. Por ju nuk jeni të interesuar për këtë? Doni që Turqia të ketë influencë më të madhe.
Më herët edhe vetë kryeministri Aleksis Tsipras ka deklaruar në një interviste televizive se Greqisë nuk i leverdis shpërbërja e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë me frikën se në horizont mund të krijohet mundësia e Shqipërisë së Madhe.
Marrëveshja për emrin e ri të Maqedonisë solli krizë qeveritare në Greqi, pasi aleati i Tsiprasit, Panos Kamenos, dha dorëheqjen nga posti i ministrit të mbrojtjes.
Kamenos kundërshtoi marrëveshjen me Maqedoninë, por ndërkohë, të paktën tre deputetë të tij kanë deklaruar do të mbështesin kryeministrin Tsipras në votëbesimin e qeverisë.
Edhe deputetë të tjerë të pavarur si dhe një nga partia opozitare POTAMI kanë bërë të ditur se do ta mbështesin Tsiprasin, duke i dhënë atij garanci për të vijuar qeverisjen dhe për ti hapur rrugën marrëveshjes së Prespës.
o.j/dita