Kremlini paralajmëron NATO-n: – Kujdes, po ju vëzhgojmë
9 Maji 2024
Rusia tha se dërgimi i trupave të NATO-s në Ukrainë potencialisht do të përbënte një rrezik të madh, duke shtuar se Moska po vëzhgon me kujdes një peticion ukrainas për një ndërhyrje të tillë.
Peticioni, i publikuar në ueb-faqen e presidentit të Ukrainës, thuhet se Ukraina duhet t’i kërkojë Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe shteteve të tjera që të dërgojnë trupa për ta ndihmuar Kievin që të zmbrapsë pushtimin rus.
“Regjimi i Kievit është shumë i paparashikueshëm”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
‘”Ne vazhdimisht e kemi thënë se një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në terren në këtë konflikt nga ushtritë e shteteve të NATO-s bart një rrezik të madh potencial. Prandaj, ne e konsiderojmë këtë si një provokim të madh dhe sigurisht po e vëzhgojmë situatën me shumë kujdes”, shtoi ai.
Është e paqartë nëse peticioni do të mbledhë votat e nevojshme – 25.000 – që kërkon në mënyrë që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ta miratojë apo refuzojë.
NATO e ka mbështetur Ukrainën në luftë, duke i ofruar armë të fuqishme, përfshirë tanke dhe raketa me rreze të gjatë veprimi, por nuk ka ndërhyrë drejtpërdrejtë me trupa, diçka që presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ai rus, Vladimir Putin, kanë paralajmëruar se do të çonte në një Luftë të Tretë Botërore.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se dërgimi i trupave perëndimore në Ukrainë “do të ishte legjitim” nëse Rusia do të kalonte vijat ukrainase të frontit dhe nëse Kievi do të kërkonte një gjë të tillë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se Rusia do të shënjestronte trupat franceze nëse ato do të dërgoheshin në Ukrainë.