Kreu i KLSH: Akulloret e kontaminuara me Oksid Etileni u tregtuan në 2021, janë konsumuar 13.2 ton
17 Korrik 2024
Kreu i KLSH, Arben Shehu ka ngritur ‘alarmin’ në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ndërsa zbuloi se në Shqipëri janë treguar akullore të kontaminuara me Oksid Etileni që shkaktojnë kancer, leucemi dhe ndikojnë në aftësinë riprodhuese tek meshkujt. Shehu tha se auditimi i vitit 2021 konstatoi se AKU nuk kishte marrë masa për të bllokuar produktin që ishte i kontaminuar.
Në komision KLSH, duke e lidhur situatën me lejimin e akulloreve të kontaminuara në treg ka kërkuar të bëhet një analizë për faktorët që kanë ndikuar në rritjen e të sëmurëve me sëmundje tumorale.
Kryetari i Komisionit Eduart Shalsi tha se ky shqetësim duhet të ishte ngritur që më herët kur është konstatuar pasi është situatë e rëndë. Por Shehu ju p[përgjigj duke thënë se për të është bërë edhe kallëzim penal. “Nëse ne kemi institucione të papërgjegjshme, duhet të çojmë përgjegjësit përpara ligjit. Duhet ta kishit ngritur këtë shqetësim që atëherë si një alarm që të nderuar deputetë keni në dorë të ndërhyni”, tha Shalsi. “Në vitin 2021 kemi bërë edhe për AKU kallëzim për akulloret jo në prokurorinë speciale, dhe është vendosur mos-pranim i kërkesës dhe jemi në proces ankimimi”, u përgjigj Shehu.
Ndërsa deputetja Milva Ekonomi ka kërkuar ballafaqim me AKU-në për këtë çështje.“Duhet të thërrasim AKU-në për ta dëgjuar. Duhet të bëjmë ballafaqim, dhe duhet ta shohim këtë situatë me shumë vëmendje”, tha Ekonomi.
Sipas auditimit rezulton se janë konsumuar 13.2 ton akullore me oksid etileni, nga 17,5 ton akullore që u blenë në total. Sipas gjetjeve produktet janë shitur kryesisht në: Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Berat, Lushnje, Korçë, Shkodër, Sarandë, Krujë, Burrel, Peshkopi, Tropojë, Lezhë.
Eliza Gjediku , gazeta Shqiptarja.com