Kreu i Lëvizjes Popullore të Kosovës rreshtohet pro Bashës, Bedri Islami: S’ka asnjë lidhje me akuzat ndaj liderëve të UÇK, në UNMIK ishte nëpunës
Kreu i Lëvizjes Popullore të Kosovës rreshtohet pro Bashës, Bedri Islami: S’ka asnjë lidhje me akuzat ndaj liderëve të UÇK, në UNMIK ishte nëpunës
NGA RIGELS SELIMANI
8 NËNTOR 2020
Publicisti dhe kreu i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Bedri Islami, ka hedhur dritë mbi misteret sa i takon debati të ditëve të fundit mbi akuzat ndaj liderëve të UÇK. Mazhoranca e ka kthyer këtë çështje në betejë politike, duke akuzuar liderin demokrat Lulzim Basha se ka pasur gisht në akuzat e ngritura ndaj drejtuesve të UÇK. Zoti Islami në një intervistë për gazetën “SOT”, shpreh të kundërtën. Si njohës i mirë i situatës në Kosovë, ai ka deklaruar se Basha nuk ka aspak lidhje me këtë çështje. Sipas tij, ai ka qenë përkthyes në UNMIK dhe nuk ngre akuza.
-Zoti Islami, dje, 17 nëntor ishte përvjetori i emërtimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ngritja e Shtabit Qendror të saj, sipas dy vendimeve të rëndësishme të Lëvizjes Popullore të Kosovës, organizatës klandestine që themeloi, organizoi dhe drejtoi politikisht dhe ushtarakisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Si u arrit në këtë ditë dhe këtë përcaktim?
Lëvizja Popullore e Kosovës është krijuar në janarin e vitit 1982, jo rastësisht ka qenë data 17 janar dhe është përgjakur që në lindjen e saj. Tre nga themeluesit e saj, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka u vranë po asaj nate dhe ishte dëshmia e ripërsëritur se rruga do të ishte e gjatë dhe e mundimshme. Vendimi për themelimin e UÇK-së është marrë në mbledhjen e katërt të përgjithshme, Kuvendin e saj, që është mbajtur në klandestinitet në Prishtinë, fund korriku 1993, në shtëpinë e familjes Brajshori, të gjithë të lidhur me lëvizjen çlirimtare dhe aty janë përcaktuar, mbi bazën e kërkesave të ripërsëritura të njësiteve në terren, për ngritjen e një strukture të armatosur. Kërkesa është bërë fillimisht nga Grupi i Drenicës, drejtuar nga Adem Jashari, i cili kishte bindjen se mund të organizonin një aksion në javë, por dikush “i marrë përsipër”, e po ashtu, në një incizim dërguar organizatës nënvizonte se “nuk duam të ketë luftë kaçakësh, se luftë e tillë fillon me mendimin me përmbysë qeveri e kthehet në kaçak rrugësh, duam ushtri dhe mundemi me e ba ushtrinë”. Njeriu i parë që u caktua për të ngritur këtë strukturë ishte Xhavit Haziri, me pseudonimin “Mjeku”, i dënuar politik, që, për fat të keq, pak ditë pas përfundimit të Kuvendit arrestohet sëbashku me disa nga drejtuesit kryesorë. Shumë nga pjesëmarrësit që u bënë të njohur më vonë do të jenë drejtues të lartë të UÇK-së, mes tyre edhe Hashim Thaçi.
-Disa ditë më parë Gjykata Speciale në Hagë arrestoi dhe ka filluar procesi i gjykimit ndaj disa drejtuesve kryesorë, mes të cilëve edhe të Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Janë arrestime të cilat janë pritur apo ishte befasi?
Arrestimet kanë qenë të pritshme, por jo në këtë nivel të lartë përfaqësimi. Vetë Gjykata Speciale është krijuar nga Parlamenti i Kosovës. Ka qenë një zgjidhje e detyruar. E padëshiruar, por e detyruar. Nuk është pritur të ketë arrestime të këtij niveli, pasi në përcaktimin e ligjit që u bë pjesë e Kushtetutës së Kosovës do të gjykohej për krime të supozuara vetjake dhe jo për përgjegjësi të zinxhirit komandues. Përcaktimi “ndërmarrje e organizuar kriminale”, që për herë të parë është përmendur në “Librin e Bardhë” të Beogradit, shtator 1998, e po ashtu nga Karla del Ponte në hetimet e akuzat e saj, është një rikopjim, ashtu si ka ardhur nga dosjet e përgatitura jashtë Kosovës. 27 mijë faqe ka dorëzuar shërbimi special serb në Gjykatën Speciale dhe shumë prej tyre, si në rastet e hershme, ashtu edhe tani, janë të përsëritura tekstualisht. Fillimisht, si rrjedhë e paramenduar e fshehjes së krimit, Sigurimi Shtetëror i Serbisë përgatiti materialin e titulluar: “Libri i bardhë: Terrorizmi i separatistëve shqiptarë në Kosovë dhe në Dukagjin” (“Bela knjiga: Terorizam Albanskog separatizma na Kosovo i Metohiji”) i publikuar në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, në Beograd, shtator 1998. Si ka vërejtur politologu i njohur Bardhyl Mahmuti, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës, variante të plotësuara të këtij “Libri të bardhë” u ribotua nga regjimi i Millosheviçit në janar të vitit 1999 me titull: “Krimet e terroristëve shqiptarë” (“Zlo?in albanskih terorista”) dhe në mars të vitit 2000 u botua varianti anglisht i titulluar “Terrorist acts of Albanian terrorist groups in Kosovo and Metohija: documents and evidence 1 January 1998 – 10 June 1999” (Aktet terroriste të grupeve terroriste shqiptare në Kosovë dhe Dukagjin). Pas përmbysjes së Sllobodan Millosheviçit nga pushteti, qeveria e re e Beogradit vazhdoi me të njëjtën propagandë. Në nëntor të vitit 2001, u botua dhe u shpërnda varianti i ri i propagandës së vjetër: “Viktimat e terrorizmit shqiptar në Kosovë dhe Dukagjin (personat e vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur, janar 1998-nëntor 2001”. (“?rtve albanskog terorizma na Kosovu i Metohiji (Ubijena, oteta i nestala lica, januar 1998 – novembar 2001”) Ka një problem themelor: shumë nga prokurorët dhe grupi i tyre kanë qenë prokurorë dhe hetues në gjykimin e Fatmir Limajt dhe të Ramush Haradinajt dhe grupit të tyre, kanë sjellë të njëjtat emërtime dhe akuza, të cilat janë hedhur poshtë; nuk mund të besoj se do të jenë objektivë dhe të paanshëm në hetimin e tyre.
-Pas arrestimeve të ditëve të fundit në Shqipëri është hapur, si të thuash, një front i ri debati mbi atë çka ka përbërë rrezik për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe si zakonisht, partitë shqiptare kanë qëndrime të ndryshme. Tehu është vendosur mbi rolin e drejtuesit të opozitës, Lulzim Basha, por edhe ndaj Partisë Demokratike? Sipas njohurive që keni dhe asaj që mendoni se ka qenë e vërteta, cili është mendimi juaj?
Unë kam shkruar disa herë rreth kësaj teme dhe ndoshta nga të parët, qoftë përmes librave apo në publikime, që kam ngritur qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj Lëvizjes Çlirimtare në Kosovë. E kuptoj se politika në Shqipëri kërkon gjithnjë një “patate” të nxehtë dhe përvëluese, sidomos kur ka pasur shenja dhe janë përvijuar shkaqe për të bërë këtë. Të jem i qartë: Lulzim Basha nuk e krijoi Gjykatën Speciale dhe, edhe po të donte nuk do të kishte mundur ta krijonte. Për të bërë këtë duheshin struktura të tjera, tejet të specializuara dhe ata gjendeshin vetëm në Beograd, ku filloi të mendohej për pasluftën në të gjitha ekstremet e saj. Që në qershor 1998 shërbimi i specializuar serb filloi të punojë për krijimin e psikozës që kemi të bëjmë me një organizatë terroriste dhe, duhet pranuar, këtë e bënë shumë fuqishëm, sa që edhe përfaqësues të lartë të shtetit amerikan, si zoti Gelbard thuajse thanë hapur se UÇK-ja është një organizatë terroriste. Nga ana tjetër është një vendim skandaloz i Rugovës, i cili ngriti një grup pune, të drejtuar nga Ekrem Kryeziu i Prizrenit dhe ku ishin mes të tjerëve edhe Rexhep Gjergji e Ramë Maraj, figura të njohura të punëve të fshehta, për dokumentimin e krimeve të luftës, materialet e këtij grupi u dorëzuan pastaj në UNMIK. Basha nuk mund të dërgonte në Hagë drejtuesit e UÇK-së. Nuk ishte faktor. Ishte përkthyes dhe drejtues i përkohshëm i një zyre në UNIK, që lidhej me luftën dhe ku përgatiteshin dosjet ndaj njerëzve të luftës dhe krimit serb, por nuk mund të urdhëronte. Mund të shërbente, pasi ajo ishte detyra e tij, por nuk mund të vendoste. Sado drejtues i rëndësishëm të ishte, ai ishte vartës. Kishte shkuar i punësuar si përkthyes dhe nuk mund të thoshte ndryshe. Ajo ishte puna e tij, fakti që tregoi zell me tepri e rëndon pozitën e tij, por nuk e bën shkak. Nëse politika shqiptare përqendrohet vetëm tek një njeri, qoftë edhe kundërshtari politik, ajo lë në harresë dhe mënjanon nga fakti disa struktura të tjera, sidomos shërbimin e fshehtë serb, zyrën e posaçme për Kosovën, por edhe struktura të tjera, brenda në Kosovë, si “Sigurimi i Atdheut”, një strukturë gjysmë e armatosur, e cila punonte haptas në dokumentimin e krimit të supozuar të UÇK-së. Gabimi i Bashës është heshtja e tij; duke heshtur bëhet fajtor. Dalja në krah të tij e analistëve kozmopolitë e dëmton edhe më tej, pasi e kthejnë gjithçka në politikë dhe faji mbetet. Ai nuk kishte forcë të bënte më shumë se sa bëri. Prania e tij në Shtëpinë e Verdhë nuk do të thotë se ai e ngriti këtë shtëpi. Kjo figuron në materialet serbe nëntë vite para se të shtrohej nga Dick Marty. Shumë më përpara se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës të saktësonte se vendimi i Kuvendit të Kosovës për shpalljen e Pavarësisë së saj ishte i drejtë dhe brenda ligjeve ndërkombëtare. Në këtë Shtëpi të Verdhë ka qenë edhe miku im i vyer, Artan Grubi, dikur përkthyes në UNMIK, sot zëvendëskryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut, por, kur nuk hesht, si ai nuk heshti, nuk lë shkak për trajtime të shumta. Unë, personalisht, jam kundërshtar i politikës së Lulzim Bashës, ashtu si kam qenë edhe ndaj politikës së zotit Berisha ndaj Kosovës. Kam qenë që në fillimet e pluralizmit. Mos ta rritim rëndësinë e Bashës në një çështje që është shumë herë, jashtëzakonisht shumë herë, larg forcës së tij, mundësisë dhe rolit të tij. Gjykata Speciale, një ligj kushtetues i Kosovës ka fillesat dhe thuajse gjithë domethënien e saj në dy gjëra të rëndësishme: në furinë e botës së gjithanshme serbe për të justifikuar krimin dhe në apatinë e politikës së Kosovës. Serbët e dinë, duke mbrojtur shtetin, mbrojnë veten; shqiptarët, duke dashur të mbrojnë veten, nuk e mbrojnë as veten e as shtetin e tyre. Dick Marty ishte një gjetje serbe; atij iu dorëzuan dosjet voluminoze në stacionin e trenit të Zyrichut nga shërbimi i fshehtë serb, por, nëse shqiptarët, menjëherë pas luftës do e kishin paditur shtetin serb për gjenocid menjëherë pas luftës, gjërat do të ishin ndryshe.
-Zoti Islami, cilat kanë qenë lidhjet e UÇK-së me partitë politike shqiptare dhe vetë shtetin shqiptar?
Gjatë luftës, në linjën e organizatës, por edhe të UÇK-së, kam qenë ndër njerëzit kryesorë në vendosjen e këtyre lidhjeve. Ka pasur gjithnjë lëvizshmëri, luhatje, moskuptime, trajtime të ndryshme, paqartësi, deri sa gjërat kanë ardhur në rritje. Pas vitit 1992 këto lidhje janë ndërprerë brutalisht, nga shteti shqiptar ka pasur qëndrim mohues dhe përjashtues dhe, për fat jo të mirë edhe pas largimit nga pushteti të PD-së, nuk janë vendosur lidhje të tjera. Ka pasur arrestime të disa figurave të njohura, ndalesa, qeveria dhe Presidenca ishin të lidhura me Rugovën dhe vetëm kur u munduan ta hiqnin qafe atë, duke radikalizuar nga jashtë gjendjen në Kosovë, marrëdhëniet mes tyre u akullzuan. Rugova nuk erdhi më në Shqipëri dhe as Berisha nuk ishte kontakte me të. Edhe me qeverinë socialiste nuk ka qenë përherë pranverë. Edhe ata kanë pasur hezitimet e tyre. Jam takuar me drejtuesit më të lartë të shtetit, të qeverisë, por ngurrimi ka qenë i ndjeshëm. Edhe nga tutela ndërkombëtare. Dera gjithnjë e hapur ka qenë ajo e Shërbimit Informativ dhe e zotit Klosi, që ishte shumë më përpara në perceptimin e gjërave. Takimi i parë, zyrtar, por i fshehtë, ka qenë në shkurtin e vitit 1998 dhe, për çudi, zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar, as nuk e dinin e as nuk e kuptonin se lufta ishte në prag dhe ajo shpërtheu pas një jave.
-Kur folët për kundërshtimet me zotin Berisha a futet këtu edhe deklarata e tij për Rambujenë?
Ndoshta nuk e keni vënë re, por, as Shtabi i Përgjithshëm, as Drejtoria Politike e as kryesia e Organizatës nuk është prononcuar për këtë rast. Përse? Sepse duhet parë koha kur është bërë deklarata e zotit Berisha. Ajo është bërë menjëherë pasi ishte paraqitur drafti i dytë në Konferencën e Rambujesë dhe ai parashikonte më pak se një autonomi substanciale. Pra, ishte rikthimi pushtetit serb mbi Kosovë. Ishte i papranueshëm dhe në këtë kohë qëndrimi i tij ishte i njëjtë me qëndrimin e UÇK-së. Berisha ka mjaft mëkate në qëndrimin ndaj UÇK-së dhe luftës në Kosovë. Kjo edhe po të kishte ndodhur, nuk përbën ndonjë shtesë të rëndësishme, aq më tepër se në atë kohë Berisha ishte jashtë vëmendjes së UÇK-së.
-Si do të jetë vazhdimi i ngjarjeve në Kosovë? Do të ketë zhvillime të reja?
Askush nuk e di se çfarë do të jetë dita e nesërme. Hetimet kanë përfshirë një gamë të madhe njerëzore dhe të gjitha zonat e luftës. Kanë qenë të njëanshme, si të porositura, jo të thella dhe jo si është menduar. Deri më tani ato kanë pasur në vëmendje vetëm shqiptarët, pa marrë parasysh se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Gjykata Speciale do të vazhdojë edhe shumë vite, do të ketë dështimet e saj, të cilat vërtet do të sjellin pastrimin nga akuzat të UÇK-së, por në fakt, dëmin e kanë sjellë. Ajo është e akuzuar dhe ky ka qenë qëllimi i politikës serbe. Prej aty ka ardhur gjithnjë e keqja e Kosovës dhe e shqiptarëve dhe, sa më shpejt të pranohet ky fakt, aq më lirisht do të ecin proceset.
Gazeta Sot