Krijimtaria e një jete në ‘FAB’, skulptori Kërtusha: Dhimbje për veprat që janë prishur!
Krijimtaria e një jete në ‘FAB’, skulptori Kërtusha: Dhimbje për veprat që janë prishur!
23 Prill 2022
Skulptori Qazim Kërtusha çel në FAB ekspozitën me veprat e një jete. Kërtusha rrëfen historinë e skulpturës së Aleksandër Moisiut në Vjenë dhe porositë që i dhanë Kristaq Rama e Vangjel Toçi për të.
“Nostalgjia” në metal i bën homazh artistëve që realizuan këngën “Djaloshi dhe shiu”, si simbol i krijimtarisë në kohë të vështira… Ndërsa përbri “Eksodi” në rezinë, mban kambanat që s’bien… janë shpirtrat që kërkonin të kapërcenin kufijtë e ngecën mes dy kohëve… “Çmenduria” e 97-ës vjen pëmes një maske të shformuar nga plumbat, ndërsa “Pushteti” ngrihet përmbi veprat e tjera në ekspozitë…
Emocione të gdhendura në mermer, bronx, rezinë e një mori materialesh, shpërfaqin përmes më shumë se 70 veprash, krijimtarinë e skulptorit Qazim Kërtusha… Nga student që vinte nga Durrësi plot ëndrra, sot një artist i afirmuar, rikthimi tek “Artet” përmes ekspozimit të punëve të një jete në galerinë “Fab” e lumturon…
Qazim Kërtusha, skulptori i parqeve të qytetit bregdetar
“Kam një emocion të jashtëzakonshëm, kthehem aty ku kam filluar, para 50 vitesh këtu pranë ka qenë ateljeri im i skulpturës monumentale. Këtu kam mbaruar”, shprehet Kërtusha.
Njësoj siç ndodh me një vepër arti, thotë se në “gdhendjen” artistike të tij, patën ndikim të fortë, pedagogët Sabri Tuçi, Hektor Dule, Mumtaz Dhrami e të tjerë personalitete të artit monumental. Më tej ai e gjeti rrugën mes veprave të kavaletit, hapësirave publike e punës si reataurator për gati 4 dekada në Muzuen Arkeologjik në Durrës…Krijimtarinë afro gjysmë shekullore e përmbledh në një katalog…
“Unë jam midis këtyre dy periudhave diktaturës dhe demokracisë, por kam ruajtur një bosht timin: Shprish formën për të ndërtuar sipas ndjesive të shpirtit tim. Individualiteti, kjo është më e rëndësishmja, duhet të njohësh veten, po njohe veten ndihesh mirë”, thotë artisti.
“Portreti i nënës” dhe “Vazoja dekorative” janë dy punë të artistit që ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ka realizuar mbi 6 ekspozita personale, por skulpturat e tij të parqeve i rrëfen me trishtim e shumicën në kohën e shkuar…
“Është vepra “Maskat” me xhama bronx, në durrës, Kam pasur mozaikun, që kisha prodhuar në Kavajë mbaj mend atëherë më ndihmonte këngëtarja Parashevi Simaku. Ka qenë në hyrje të Durrësit dhe tani ai mozaik nuk ekziston më, vetëm në filma. Ose Gardhi dekorativ me Liljana Çikën ose fasada e partoisë me luan bërhami nga Shijaku, kanë qenë bashkëpunime shumë të mira
Gardhi dekorativ 6 m është prishur, mozaiku është prishur, john leonon është zhvendosur, dhe shumë vepra të tjera… pra të jesh gjallë dhe të ndjesh atë…Gardhi dekorativ 6 m është prishur, mozaiku është prishur, john leonon është zhvendosur, dhe shumë vepra të tjera… pra të jesh gjallë dhe të ndjesh atë…”, tha ai.
Ndërsa skulptura e tij dedikuar Aleksandër Moisiut, fatmirësisht pati fund të lumtur… Kujton se e ideoi në diktaturë, gjatë vitit 1985 dhe e realizoi duke dëgjuar zërin e tij…”
“Historia ka qenë shumë e çuditshme. Në fillim thoshin se ishte moderne, se kishte formë si kaush akulloreje, dhe nuk ma pranuan. Por insistimi ishte sidomos i drejtorit të Muzeut Arkeologjik të Durrësit, profesor Vangjel Toçit dhe profesor Kristaq Ramës, që më thoshin “ruaje se do të vijë koha që do të derdhet në bronx” Madje profesor Kristaqi më thoshte: Mos e prish, fshihe ruaje diku, dhe sikur të jetë se do ta vendosësh në gardhin tënd!” .
E në fakt, ajo vepër u përzgjodh për të nderuar aktorin e njohur në kryeqytetin austriak. E derdhur në bronx, 3 m e lartë e me firmën e Moisiut, kalimtarët e shijojnë në pjesën danubiane të Vjenës, mes gjelbërimit…
“Kur e pashë në Vjenë, thashë me vete, paskan pasur të drejtë dhe pedagogët e mi! Ishte i kuruar shumë bukur, mbeta pa fjalë sikur nuk ishte vepra ime
Një skulptor modern, ku kryeson figura e femrës e pjelloria si vijimësi për jetën, Hektor Dule, thotë se skulptura e Kërtushës, edhe në përmasa të vogla, “sa nxirret nga xhepi” çliron frymën monumentale…
“Gjatë procesit tim kreativ, realizmi është i fundit, por mendimi është shumë i rëndësishëm…. “, thotë artisti.
Ndërsa artisti dhe pedagogu Sadik Spahija, që kuroi këtë ekspozitë personale, thotë se në situatë të vështirë sociale, ku artistët përballen me dilema, Kërtusha ka arritur të gjejë rrugën e duhur…
“Qazimi shquhet ndër të tjera për dy elementë kryesore; për një ndershmëri të artë profesionale që rrallë e gjen dhe për gjuhën e mirëfilltë të skulpturës.. Në shumicën e rasteve ndodh që ne zgjedhim atë që nuk duhet të zgjedhim e ky është rasti që ne e kemi pritur si një shembull gjithë udhëtimin e një jete kushtuar skulpturës…” thotë Spahija…
Gazeta Shqiptarja.com